Mashtrim dhe marrje dhuratash shtetërore, shpallen fajtorë Imran Khan dhe bashkëshortja e tij, i shtohen vitet e dënimit me burg
Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një anije të sanksionuar në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës, njoftuan zyrtarët amerikanë për partnerin e BBC News, CBS.
Ky është rasti i dytë këtë muaj që SHBA-të ndërmarrin veprime të ngjashme në këtë rajon.
Sekuestrimi i anijes është pjesë e një operacioni të drejtuar nga Roja Bregdetare e SHBA-së, i cili përfshinte një ekip të specializuar taktik që ngjiti anijen në bord.
Ky veprim u realizua pas një deklarate nga Presidenti Donald Trump, i cili urdhëroi një “bllokadë” të cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Venezuela ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar për konfiskimin e fundit, por më parë ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të vjedhin burimet e saj të naftës. Madje, Presidenti Nicolás Maduro ka deklaruar se SHBA-të po kryejnë akte të paligjshme dhe po “vjedhin” burimet e vendit.
Ky sekuestrim vjen pas një rritjeje të pranisë ushtarake amerikane në Detin e Karaibeve, ku SHBA-të kanë realizuar sulme ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge nga Venezuela, duke vrarë rreth 100 persona.
Megjithatë, SHBA-të nuk kanë ofruar prova publike që të vërtetojnë se këto anije ishin të përfshira në trafikun e drogës.
Administrata Trump ka akuzuar Maduro-n dhe grupin e tij të ngushtë për drejtuar një organizatë të shpallur terroriste, “Cartel de los Soles”, e cila dyshohet se përdor naftën e “vjedhur” për të financuar aktivitete kriminale si terrorizmin dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Maduro e ka mohuar këto akuza, duke i quajtur ato të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Venezuela, e cila ka rezervat më të mëdha të naftës të provuara në botë, është thelbësore për ekonominë e saj. Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave për financimin e shpenzimeve qeveritare.
Kjo ka bërë që SHBA-të të ushtrojnë presion të fortë mbi industrinë e naftës venezueliane përmes sanksioneve dhe veprimeve të tjera ligjore.
Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se anija cisternë e sekuestruar, e quajtur “Skipper”, dyshohet të ketë qenë e përfshirë në “transportin e paligjshëm të naftës” dhe do të dërgohej për t’u hetuar në një port amerikan.
Deklarata e Presidentit Trump për një “bllokadë” të cisternave të naftës erdhi pak pas sekuestrimit të anijes “Skipper”, e cila dyshohet se ishte pjesë e një flote të fshehur të anijeve që operonin pranë Venezuelës për të shmangur sanksionet ndërkombëtare. Qeveria e Venezuelës ka shpallur se SHBA-të po kryejnë aktet e “rrëmbimit” dhe “vjedhjes” ndaj pasurive të saj.
Top Channel