Kaosi dhe tensionet në Kuvend, Balla ironizon PD: Kur protesta s’ka pjesëmarrje, i vënë zjarrin Kuvendit

18/12/2025 11:28

Në komunikimin me gazetarët pas tensioneve në Kuvend, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, krahasoi situatën e sotme me skenarë të përsëritur të opozitës ndër vite, duke kujtuar ngjarje të ngjashme në vitet 2017 dhe 2018.

Ai akuzoi Partinë Demokratike se, sa herë që protestat nuk kanë pjesëmarrje, përpiqet të krijojë kaos institucional, ndërsa theksoi se Shqipëria vijon rrugën e saj europiane.

Balla përgëzoi gjithashtu vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e një pjese të masave ndaj Kosovës, rikonfirmoi mbështetjen e plotë të PS për SPAK-un dhe sqaroi se Kuvendi do të ndjekë të gjitha procedurat kushtetuese për çdo çështje që lidhet me hetimet dhe përgjegjësitë politike.

Deklarata e plotë për mediat jashtë Kuvendit:

Besoj se qoftë për ju, qoftë për qytetarët shqiptarë, e sotmja nuk është një lajm i ri. Asgjë e re nga “fronti i lindjes”.
Po kujtoja sot plot tetë vite më parë në të njëjtën datë më 18 dhjetor 2017, e njëjta pamje në Kuvendin e Shqipërisë. Atë ditë zgjidhej Prokurori i Përgjithshëm, Arta Marku. Sot pas 8 vjetësh në të njëjtën datë bënte betimin Avokati i Popullit, Endri Shabani, një kandidat i propozuar eksluzivisht me firmat e PD, mes tyre udhëheqës të lartë të asaj që ka mbetur nga Partia Demokratike. E njëjta situatë sot pas 8 vjetësh, ripërsëritur. Kanë ndodhur të njëjtat pamje edhe në dhjetor 2018 nëse mbani mend.

Shqiptarët e dinë se sa herë që duket qartë që protestat nuk kanë frymë nuk kanë pjesëmarrje, duhet t’i vëmë zjarrin Parlamentit që të na vijnë njerëzit në protestë. Shqiptarët e dinë fare mirë se kush e udhëheq, kush jep urdhrat, për të gjitha këto imazhe dhe fotografi që i bëjnë dëm Shqipërisë.
I pashë që sulmuan Avokatin e ri të Popullit. U munduan ta pengojnë Avokatin e ri të Popullit të bëjë betimin, edhe pse vetë e kanë firmosur dhe propozuar. Megjithatë, populli shqiptar ka një shprehje të bukur: qentë le të lehin, karvani ecën përpara. Karvani i Shqipërisë europiane ecën përpara.

Dua ta përgëzoj sot vendimin e djeshëm të Bashkimit Europian për të hequr një pjesë të masave dhe sanksioneve ndaj Kosovës dhe ky është lajmi më i mirë për gjithë shqiptarët. Po e dini sa herë që Kosova ka një festë, nga 91-shi e deri më sot, Saliu e bën një dëm në Shqipëri dhe dëmi i imazhit sot lidhet pikërisht me gëzimin e djeshëm për Kosovën.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB