Norma e interesit nuk ndryshon, Guvernatori Sejko: Inflacioni brenda objektivit, turizmi pati rol kyç

17/12/2025 19:26

Stabiliteti i çmimeve dhe qëndrueshmëria makroenomike e kanë mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit edhe në këtë muaj të fundit të vitit në 2.5%.

Guvernatori i bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për vendimmarrjen e politikës monetare tha se inflacioni ka vijuar të jetë në objektiv ndërsa rritja ekonomike e ndikuar kryesisht nga sektori i turizmit është reflektuar dhe në tregun e punës.

“Në veçanti, rritja me rreth 22% e shërbimeve të turizmit në tremujorin e tretë, tregon vijimin e kontributit pozitiv të këtij sektori. Kjo dinamikë ka ndikuar në përmirësimin e pozicionit të jashtëm, duke e çuar ekonominë shqiptare për herë të parë në periudhën post-tranzicion drejt suficitit të llogarisë korrente për tre tremujorët e parë të vitit. Shkalla e papunësisë zbriti në 8.1% në tremujorin e tretë, ndërsa pagat në sektorin privat u rritën me 9.8%, duke treguar një rritje dinamike dhe me bazë të gjerë. Deri tani, rritja e pagave ka mbështetur rritjen e fuqisë blerëse të familjeve”, tha Sejko.

Guvernatori nuk veçoi balancën e rreziqeve të jashtme ndikuar kryesisht nga faktorët gjeopolitik: “Në veçanti, një rritje e tensioneve gjeopolitike mund të shkaktojë një inflacion më të lartë se pritjet, ndërsa një ngadalësim më i fortë i ekonomive partnere mund të ndikojë në kahun e kundërt”.

Banka Qendrore shprehet optimiste për 2026 teksa parashikon se ekonomia pritet të rritet pranë potencialit të saj gjatë horizontit afatmesëm, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektivin prej 3%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB