E ardhmja e Enzo Marescas në stolin e Chelseat është vënë në pikëpyetje, teksa mediat angleze raportojnë se klubi po shqyrton alternativa në rast të një ndryshimi të mundshëm.

Mes emrave që përmenden është edhe Oliver Glasner, trajneri aktual i Crystal Palace dhe fitues i Conference League.

Chelsea kaloi një periudhë të vështirë, duke mbetur për katër ndeshje pa fitore, para se të rikthehej te suksesi me fitoren 2-0 ndaj Evertonit në fundjavë. Pas asaj sfide, Maresca e cilësoi situatën si “48 orët më të këqija që nga momenti kur jam bashkuar me klubin”, deklaratë që sipas SunSport ishte një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj hierarkisë së klubit dhe mungesës së mbështetjes.

Në këtë klimë pasigurie, mbetet për t’u parë sa gjatë do të vazhdojë Maresca në detyrë. Ndërkohë, mediat kanë analizuar kandidatët potencialë për ta zëvendësuar atë.

Oliver Glasner shihet si një nga trajnerët më të vlerësuar në Premier League. Ai i ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij ndaj drejtuesve të Crystal Palace për politikat e merkatos dhe kontrata e tij skadon në fund të sezonit. Austriaku, fitues i FA Cup me Palace dhe i Europa League me Eintracht Frankfurt, konsiderohet një zgjedhje e zgjuar, por edhe e rrezikshme për shkak të përplasjeve të shpeshta me drejtuesit në klubet e mëparshme.

Një tjetër emër në listë është Liam Rosenior. Pjesë e rrjetit BlueCo, ai gëzon vlerësim të lartë në Stamford Bridge. Si trajner i Strasburgut, klubit “motër” të Chelseat, Rosenior e ka çuar ekipin francez në Conference League me një vend të shtatë në kampionat dhe aktualisht kryeson grupin e tij në këtë kompeticion. Ai ka spikatur për punën me lojtarët e rinj dhe për stilin modern të lojës.

Në radar është edhe Andoni Iraola. Trajneri spanjoll ka ndërtuar një reputacion shumë pozitiv me Bournemouth, duke marrë rezultate të rëndësishme në Premier League. Ai shihet si një trajner i gatshëm për hapin e madh, falë aftësisë për të punuar në struktura moderne dhe për t’u përshtatur me ndryshime të mëdha në organikë.

Mes alternativave përmendet edhe Frank Lampard. Legjenda e klubit ishte zgjedhja e drejtuesve si trajner i përkohshëm pas largimit të Graham Potter dhe më pas rindërtoi imazhin e tij si trajner me Coventry City në Championship. Lampard ka treguar më herët se di të punojë me një skuadër të re te Chelsea, por për ta rikthyer në Stamford Bridge do të nevojitej një ofertë e fortë dhe afatgjatë.

Situata mbetet e hapur dhe javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e stolit të Chelseat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta