Skandali i pornografisë së rreme trondit Gjermaninë, aktorja e famshme akuzon ish-in e saj për shpërndarjen e materialit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kritikuar propozimin e fundit të Shteteve të Bashkuara lidhur me tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni i Donbasit, duke e quajtur të paqartë dhe të padrejtë planin e sugjeruar.
Më parë, SHBA-të kishin propozuar që Ukraina të dorëzonte pjesë të Donbasit që ende janë nën kontrollin e saj, por Zelensky tha të enjten se tani ishte sugjeruar një kompromis, ku trupat ukrainase do të tërhiqen, por trupat ruse nuk do të avancojnë më tutje në territorin ukrainas.
Presidenti ukrainas theksoi shqetësimin se zona e propozuar “zonë ekonomike e lirë” ose “zonë demilitarizuar” mund të pushtohej lehtësisht nga forcat ruse pas tërheqjes së trupave ukrainase.
“Nëse njëra palë tërhiqet dhe pala tjetër mbetet, çfarë do të ndalojë trupat ruse? A mund të shndërrohen ata në civilë dhe të marrin nën kontroll zonën e lirë ekonomike?”, pyeti Zelensky gjatë një konference për shtyp në Kiev. Ai shtoi se një plan i tillë nuk mund të miratohej pa garanci se forcat ruse nuk do të pushtojnë zonën.
Zelensky gjithashtu theksoi se çdo kompromis territorial do të duhet të ratifikohej nga populli ukrainas përmes një referendumi ose zgjedhjesh, pasi vetëm ata mund të vendosin për dorëzimin e territoreve. Ai u shpreh se po ishte i hapur për kompromis, por ky duhet të ishte një “kompromis i drejtë”.
Sipas Zelenskyt, plani i SHBA-së parashikon që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi, ku forcat ruse vazhdojnë avancimin, ndërsa do të ngrijnë linjat e frontit në rajonet e Kherson dhe Zaporizhzhia. Në këmbim, Rusia do të dorëzojë disa zona të vogla që aktualisht kontrollon në rajone të tjera të Ukrainës.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shtuar presion mbi Zelensky, duke e akuzuar atë se nuk e ka shqyrtuar propozimin e paqes dhe duke e vënë në dyshim legjitimitetin e tij. Zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt, tha se presidenti ishte “shumë i zhgënjyer” nga pala ukrainase, duke shtuar se ai ishte “lodhur nga takimet që nuk çojnë askund.”
Në një zhvillim të mëtejshëm, Zelensky njoftoi se ekipi i negociatorëve ukrainas kishte dërguar planin e ndryshuar në Uashington dhe se ende mbetën disa çështje të pazgjidhura, përfshirë çështjen e territoreve dhe kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhzhia. Ai theksoi se plani është ende në punë dhe se procesi i redaktimit vazhdon.
Ndërkohë, Kremlini ende mbetet në dyshim për angazhimin e tij në negociata. Disa vëzhgues sugjerojnë se Presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë thjesht duke humbur kohë me bisedime të rreme, ndërsa vazhdon ofensivën ushtarake në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se nëse Putin arrin të imponojë vullnetin e tij në Ukrainë, mund të ketë një përshkallëzim të luftës në Europë.
Në një tjetër zhvillim, zyrtarët e BE-së u mblodhën në Lviv, në Ukrainën perëndimore, për të diskutuar perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orbán vazhdon të bllokojë negociatat formale. Megjithatë, shumica e shteteve të BE-së janë pro anëtarësimit të Ukrainës dhe janë të gatshëm të vazhdojnë me integrimin e saj, pavarësisht kundërshtimeve të Hungarisë.
Zelensky kërkoi gjithashtu që Presidenti i SHBA-së, Trump, të përdorë ndikimin e tij për të shtuar presion ndaj Hungarisë dhe shteteve të tjera të BE-së që po bllokojnë anëtarësimin e Ukrainës.
“Të gjithë e dimë se Presidenti i SHBA ka mekanizma të ndikimit dhe ata do të funksionojnë tek ata që aktualisht po bllokojnë rrugën e Ukrainës,” tha ai.
Top Channel