Erling Haaland është ndër të paktët futbollistë të Premier League-s që e sheh VAR-in si një avantazh personal. Sulmuesi i Manchester City-t ka shpjeguar se teknologjia, sidomos ajo gjysmë-automatike për pozicionet jashtë loje, ka ndikuar pozitivisht në lojën e tij.

Në podcast-in ‘The Rest Is Football’, Haaland kujtoi edhe këshillën e babait të tij, Alfie: “Mbaj mend kur u fol për herë të parë për VAR-in. Babai më tha: ‘Kjo do të jetë perfekte për ty, sepse vendimet do të jenë të sakta’. Dhe kishte të drejtë.”

Norvegjezi theksoi se suksesi i tij lidhet ngushtë me kohën e duhur të vrapimit: “Unë rrallë dal në pozicion jashtë loje, sepse gjithçka ka të bëjë me momentin. Çdo gjë në jetë lidhet me kohën. Edhe pasimi, nëse vonohet pak, më nxjerr jashtë loje. Prandaj duhet të jem gati, por njëkohësisht të pres.”

Haaland e quan ‘ofside’-n gabimin më të pakëndshëm për një sulmues: “Është gjëja më e keqe për mua, sepse nuk ke asnjë mundësi të shënosh. Nëse je brenda loje, edhe pak më larg, gjithmonë ke një shans.”

City e ka parë shpesh këtë precizion të Haaland-it si vendimtar, dhe sulmuesi duket se e ka gjetur aleatin ideal te teknologjia moderne.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta