“Kam kaluar 44 vite në internim. Dënimin na e jepnin çdo pesë vite. Në qershor 1989, mora dënimin e dhjetë, por nuk u shqetësuam shumë, nuk e morëm shumë seriozisht pasi komunizmi kishte filluar të shkërmoqet”, u shpreh ish i përndjekuri politik, Simon Miraka.
Simon Miraka ishte vetëm një vjeç kur familja e tij u internua për motive politike nga sistemi diktatorial. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në internim.
“Jeta nuk ka çmim. Ajo që kam humbur, nuk më kthehet asnjëherë”, tha Miraka.
Miraka është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Studimeve për Pasojat dhe Krimet e Komunizmit, që ka për qëllim studimin dhe analizimin e fakteve dhe informimin e publikut për periudhën komuniste në Shqipëri. Në 15-vjetorin e këtij institucioni, studiuesit theksojnë se 35 vite pas ndryshimit të sistemit, Shqipëria duhet të kishte mbaruar procesin e ndarjes më të kaluarën dhe studimet për të kaluarën.
“Shqipëria e vitit 1990 nuk ishte e përgatitur për njohjen e demokracisë dhe në thelb ishte një shoqëri komuniste që po shkonte në demokraci pa e kuptuar demokracinë. Elitat nuk e prinë ndryshimin, ishin studentët që e bënë dhe ata më pas iu bashkuan. Nëse nuk do të ndodhte lëvizja e dhjetorit, nuk e dimë kur do ishte data për ndryshimin e sistemit.
Elitat krijuan një paradoks, krijuan partitët e para por nuk lejohej të flitej për Enver Hoxhën. Pluralizmi real ndodhi vetëm pas zgjedhjeve të vitit 1991. Dhe teza që të gjithë donin ndryshimin, rezulton i pavërtetë. Kjo e dallon vendin tonë nga vendet e tjera si Polonia apo Çeki. Këto defekte deri diku kanë përcaktuar si vazhdoi tranzicioni”, u shpreh Prof. Dr. Afrim Krasniqi.
Në një tryezë diskutimi, që u mbajt këtë të mërkurë, anëtarët e Institutit analizuan vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe zhvillimet e 35 viteve tranzicion.
“Në mënyrën si rrodhën ngjarjet, u vu re një kompromis mes klasës së re politike dhe asaj të vjetër, kjo u vu re në mënyrën si u bën përciptas gjyqet dhe në zbardhjen e pasojave që la pas diktatura komuniste në 45 vite. – Në Shqipëri, tranzicioni ka qenë i trazuar, i karakterizuar nga kriza ekonomike, si piramidat financiar të 1997, emigracioni masiv dhe polarizimi politik”, tha Prof. Asoc. Hasan Bello .
Studiuesit theksuan nevojën për një qasje të organizuar, të koordinuar dhe të qëndrueshme për trajtimin e së shkuarës komuniste për edukimin e brezave dhe krijimin e një kulture qe e njeh të shkuarën e vet.
“Dëmi i madh që iu shkaktua brezit të ri, ku isha edhe unë, të cilët janë indoktrinuar nga letërsia, filmat e realizmit socialit, arti dhe për fat të keq, ne nuk kemi ende, përveç ish të burgosurve politikë letërsi ku të jetë trajtuar e shkuara. Ende të rinjtë në shkollat vazhdojnë të lexojnë të njëjtën letërsi, ka të bëjë me kulturën e këtij vendi”, u shpreh Prof. Asoc. Dr. Jonila Godole.
Top Channel