Kostandin Tashko është vlerësuar si një nga talentet më premtues të gjeneratës së tij në pianizmin ndërkombëtar.
Laureat i disa konkurseve prestigjioze, ai ka performuar në disa nga sallat më të njohura koncertore në Europë.
Ndërsa këtë të martë ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku do të interpretojë për herë të parë me orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ai do të luajë dy vepra të kompozitorëve Sergei Prokofiev dhe Sergei Rachmaninoff, që spikasin për fuqinë dramatike dhe pasurinë e ngjyrave orkestrale.
“Është kënaqësi sepse në këtë debutim do të luaj Koncertin nr. 2 të Prokofiev, që është i famshëm, por që në Shqipëri njihet pak”, tha pianisti Kostandin Tashko.
Tashko është një ndër artistët më të rinj shqiptarë të emëruar profesorë në konservatorët muzikorë italianë që prej moshës 24-vjeçare, por skena mbetet për të dashuria më e madhe.
“Jam pedagog prej pesë vitesh në Itali, por prioriteti im mbetet të performoj në skena, ka qenë ajo që kam dashur që i vogël”.
Për pianistin, talentet e reja meritojnë më shumë vëmendje.
“”Ne kemi vërtet shumë talente dhe fatmirësisht tani po fillojmë të kemi infrastrukturën e duhur për t’i dhënë këtyre talenteve mundësi që të zhvillohen në mënyrë më profesionale. E ardhmja duhet të jetë më e mirë”.
Koncerti instrumental simfonik nis të martën në orën 19:00, me orkestrën e Teatrin të Operas që do të drejtohet nga dirigjenti Sergio Alapont.
Top Channel