Humbën titullin në garën e fundit, Verstappen dhe Piastri analizojnë sezonin: Bëmë më të mirën, Norris e meritoi
Lando Norris ka folur pas triumfit historik që i dha atij titullin e parë të kampionit në Formula 1, duke rrëfyer emocionet, presionin dhe sfidat e garës së fundit të sezonit.
Piloti i McLaren pranoi se gjatë garës nuk mund ta largonte plotësisht nga mendja faktin se po luftonte për titullin: “Pak nga të dyja… e mendoja, s’mund të mos e mendoja. Por e dija që gara do të ishte e gjatë deri në xhiron e fundit. Në Formula 1 kemi parë gjithçka të ndodhë, ndaj vazhdova të shtyja deri te dy a tre xhirot e fundit, ku mund të qetësohesha pak.”
Norris shtoi se konkurrenca këtë sezon ka qenë e pamëshirshme: “Doja të luftoja deri në fund, edhe këtë e bëmë. Kështu ka qenë gjatë gjithë vitit, me Max Verstappen duke na ndjekur vazhdimisht, me Oscar Piastri që afrohej sërish në fund… nuk ma bënë jetën të lehtë.”
Piloti britanik u pyet edhe për momentin kur u raportua se ishte nën hetim gjatë garës: “Nuk kisha asnjë ide, as nuk më interesonte. E dija që çdo gjë që kisha bërë ishte në rregull. Thjesht po përpiqesha të shijoja momentin. Jo shumë njerëz në botë — e aq më pak në Formula 1 — përjetojnë atë që përjetova këtë sezon.”
Norris, që ka kaluar nëntë vite me skuadrën britanike, u shpreh veçanërisht i lumtur për ekipin: “Ka qenë një rrugëtim i gjatë me McLaren. Kemi kaluar kohë të vështira dhe momente të mira. Të sjell titullin e pilotëve pas kaq shumë vitesh, ndihem sikur i dhashë diçka skuadrës që ka besuar te unë. Jam shumë krenar për këtë.”
Ai e mbylli me humor dhe emocion: “Jam edhe më krenar për ata që shpresoj t’i kam bërë të qajnë nga gëzimi.”
Top Channel