Te Besa e Kavajës ka nisur një tjetër lëkundje në pankinë. Shpëtim Duro nuk do të vazhdojë më detyrën e trajnerit, pasi tekniku me përvojë ka vendosur të japë dorëheqjen menjëherë pas humbjes 2-0 në transfertën ndaj Apolonisë.

Duro mori drejtimin e skuadrës në javën e tretë të kampionatit, me synimin për ta rikthyer Besën në elitë dhe për t’i dhënë ekipit ambicie të qarta. Megjithatë, rruga nuk ishte aspak e lehtë. Nën drejtimin e tij, kavajasit arritën vetëm tri fitore, tri barazime, ndërsa pësuan gjashtë humbje, një bilanc që e vuri trajnerin nën presion të vazhdueshëm.

Prej disa javësh, 65-vjeçari kishte shprehur hapur vështirësitë që po haste me grupin aktual, duke pranuar se rezultatet nuk po pasqyronin punën dhe pritshmëritë e tij. Pas humbjes së fundit, ai vendosi të tërhiqet.

Tani mbetet të shihet kush do të jetë trajneri i tretë i sezonit për Besën, pas Emiljano Çelës dhe Shpëtim Duros, ndonëse kampionati nuk ka mbërritur ende në gjysmën e tij. Edhe pse klubi ka investuar mjaft mirë këtë vit, situata në renditje nuk është aspak pozitive: pas 14 javësh, Besa ndodhet në vendin e nëntë, në zonën e Play-Out-it, me 14 pikë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta