Dinamo ka arritur një fitore të madhe në derbin ndaj Tiranës, duke triumfuar 6-2.

Sfida e luajtur në “Arenën Kombëtare” foli vetëm për ekipin e Ilir Dajës, që dominoi takimin nga fillimi në fund.

“Nëndetësja” kaloi në avantazh që në minutën e 5’ me anë të Guindos dhe pas gjashtë minutash, ishte Qardaku që dyfishoi shifrat. Nuk kaloi shumë dhe në minutën e 25’, Bregu shënoi edhe golin e tretë.

Pesë minuta nga fundi i pjesës së parë, Rafa Freitas shënoi për Tiranën, duke krijuar një mirazh te ekipi bardheblu për një kthesë.

Mirazh që u thye që në startin e pjesës së dytë, me Vilën që shënoi golin e katërt në minutën e 47’.

Në minutën e 61’ Qardaku shënoi golin e pestë, ndërsa pas 4 minutash, Bregu kompletoi dopietën personale me anë të një 11-metërshi, teksa shënoi të gjashtin për Dinamon.

Bardheblutë gjetën edhe një gol që shërbeu vetëm për statistikë në minutën e 76’ me anë të Etien Tarës.

Me këtë fitore, Dinamo rikthehet fuqishëm në garën për titull, duke u ngjitur në vendin e katërt me 23 pikë, 3 më pak se Elbasani kryesues.

Nga ana tjetër, Tirana duket se nuk po ngre kokë dhe makthi i rënies nga kategoria mund të kthehet në realitet, pasi bardheblutë numërojnë vetëm 7 pikë pas 14 javësh dhe ndodhen në vendin e fundit.

REZULTATI:

Dinamo 6-2 Tirana

Guindo 5’, Qardaku 11’, 61’, Bregu 25’, (P) 65’, L. Vila 47’ / Rafa 40’, Tare 76’

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta