Kimi Antonelli është bërë shënjestër e një vale të madhe urrejtjeje online pas spekulimeve të pabazuara për një favorizim të Lando Norris në fazat përfundimtare të Garës së Madh të Katarit në Formula 1.

Reagimet filluan pas deklaratave të dy figurave kyçe të Red Bull, Giampiero Lambiase dhe Helmut Marko, rreth parakalimit të Antonellit nga lideri i kampionatit, për të cilat më pas Red Bull kërkoi falje.

Sipas Corriere della Sera, sistemi i monitorimit të Mercedes ka regjistruar mbi 1.100 komente ofenduese në rrjetet sociale të Antonellit, duke shënuar një rritje mbi 1000% krahasuar me një ditë normale gare.

Shumë prej tyre përmbanin kërcënime me vdekje dhe dhunë fizike, ndërsa edhe faqet zyrtare të skuadrës morën rreth 330 mesazhe të ngjashme.

Përballë kësaj dhune virtuale, Mercedes ka dërguar një dosje të plotë te FIA, e cila zhvillon prej kohësh fushata kundër abuzimeve online. FIA ka dënuar fuqishëm sulmet dhe ka shprehur mbështetje të plotë për Antonellin, i cili ka vendosur të zëvendësojë imazhin e tij në rrjete sociale me një ekran të zi si shenjë reagimi ndaj klimës toksike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta