Putin dhe i dërguari i Trump drejt marrëveshjes së paqes në Ukrainë? Moska pret takimin vendimtar

02/12/2025 09:44

Presidenti rus Vladimir Putin do të takojë të martën në Moskë të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, në një moment kur Shtëpia e Bardhë shprehet “shumë optimiste” për një marrëveshje të mundshme paqeje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Në takim pritet të jetë i pranishëm edhe Jared Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump, i cili po luan rol të drejtpërdrejtë në negociata.

Takimi vjen pas dy ditësh bisedimesh intensive në Florida mes delegacioneve ukrainase dhe amerikane, të cilat synuan rafinimin e një plani të ri paqeje të mbështetur nga SHBA-ja. Plani është kritikuar më herët si tepër i favorshëm për Moskën.

Presidenti Volodymyr Zelensky i quajti bisedimet “konstruktive”, por theksoi se disa çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura, veçanërisht ajo territoriale, pika më e vështirë e negociatave. Kremlini vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territoret lindore, gjë që Kievi e refuzon kategorikisht.

Takimi i Witkoff me Putinin do të mbahet pasditen e së martës, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Ndërkohë, situata në front mbetet e tensionuar. Moska pretendoi të ketë marrë nën kontroll qytetet strategjike Pokrovsk dhe Vovchansk, por Kievi i mohoi këto deklarata. Analiza të pavarura të terrenit sugjerojnë se asnjë prej qyteteve nuk është plotësisht i pushtuar.

Sipas qendrës ukrainase kundër dezinformimit, Rusia po përpiqet të rrisë presionin mbi Ukrainën në prag të bisedimeve, duke i përdorur pretendimet për avancime në front për përfitime politike.

Witkoff, në prag të udhëtimit në Moskë, zhvilloi konsultime edhe me kryeministrin britanik Keir Starmer, Presidentin Zelensky dhe kryenegociatorin ukrainas Rustem Umerov. Në takimin Zelensky-Macron u përfshinë virtualisht edhe disa liderë evropianë.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se drafti i marrëveshjes ka bërë “përparime të mëdha” dhe se administrata Trump është optimiste për një rezultat pozitiv. Megjithatë, Europa mbetet e rezervuar. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se nuk ka ende “asnjë plan të finalizuar”, dhe theksoi se çdo marrëveshje duhet të hartohet me kontributin e Ukrainës dhe vendeve evropiane.

Brukseli shpreh shqetësimin se mos të gjitha kërkesat e Rusisë mund të jenë të pranueshme. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se Moska po përpiqet të negociojë vetëm me aktorë që i ofrojnë asaj përfitime konkrete, dhe se ka rrezik që presioni të bie mbi “palën më të dobët”.

Çështjet kryesore që mbeten ende të hapura janë territori, garancitë e sigurisë për Kievin dhe e ardhmja e aseteve të ngrira ruse në Europë. Ukraina kërkon garanci afatgjata sigurie, përfshirë anëtarësimin në NATO, të cilin Rusia e kundërshton dhe Trump e ka përjashtuar.

Kjo javë shihet si vendimtare për të kuptuar nëse mund të arrihet një kornizë fillestare paqeje ose nëse negociatat do të hyjnë sërish në ngërç.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta