La Liga zhvillon dy ndeshje të javës së 19-të me datë të paraprirë për shkak të angazhimeve në Superkupën e Spanjës dhe kryendeshja e kësaj fundjave do të jetë përballja Barcelona–Atletico Madrid.

Sfida luhet në ‘Camp Nou’-n e rinovuar, ku skuadra e Hansi Flick kërkon të mbajë kreun e renditjes pas fitores 3-1 ndaj Alavés dhe rrëshqitjes së Real Madridit kundër Girona-s.

Barcelona kryeson LaLiga-n me 34 pikë, por pas saj ndodhen shumë afër edhe Real Madridi i Xabi Alonsos me 33 pikë dhe surpriza Villarreal, ndërsa Atletico e Diego Simeones vjen e katërta me 31 pikë, pas një serie mbresëlënëse prej tetë fitoresh dhe dy barazimesh në 10 ndeshjet e fundit të kampionatit. Një fitore në ‘Camp Nou’ i jep Atlético-s mundësinë të barazohet me Barcelonën në krye, duke rritur rivalitetin për titull.

Ndeshja pritet të sjellë spektakël, ashtu si zakonisht në përballjet Flick–Simeone. Barcelona synon të shfrytëzojë euforinë e rikthimit në shtëpinë e vjetër, ku ka fituar të dyja ndeshjet e para pas rikonstruksionit. Në këtë superduel nuk priten rotacione: Lamine Yamal, Lewandowski, Pedri, de Jong, Cubarsì dhe Raphinha priten të jenë titullarë, ndërsa Atletico kundërpërgjigjet me Oblak, Giménez, Koke, Alex Baena, si dhe dyshen sulmuese Griezmann–Julian Alvarez.

Sfida pritet të ketë ndikim të madh në garën për titullin e LaLigas, duke qenë se disa ditë më vonë Barcelona dhe Atletico do të përballen edhe në Superkupën e Spanjës, përkatësisht kundër Athletic Bilbaos dhe Real Madridit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta