Pakënaqësitë në skuadër janë të dukshme, Xabi Alonso rrezikon shkarkim të menjëhershëm pas sfidës së radhës

02/12/2025 09:32

Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ndodhet nën presion të madh dhe rrezikon shkarkimin nëse rezultatet – dhe mbi të gjitha paraqitjet – nuk përmirësohen menjëherë.

Forma e dobët e madrilenëve vazhdoi të dielën, kur “Los Blancos” u ndalën në një barazim 1-1 ndaj Gironës në La Liga. Ky ishte barazimi i tretë radhazi në kampionat, pas ndeshjeve ndaj Rayo Vallecanos dhe Elches.

Edhe pse Reali fitoi 4-3 ndaj Olympiacos në Champions League, skuadra e Alonso-s mbrojti me vështirësi avantazhin në minutat e fundit, duke shtuar shqetësimet për gjendjen e ekipit.

Sipas The Athletic, presioni ndaj Alonso-s po rritet ndjeshëm. Fitorja e fundit në kampionat daton më 1 nëntor, kur Reali mundi Valencian 4-0 në “Santiago Bernabéu”. Burime brenda klubit e kanë përshkruar situatën si “shumë të vështirë”, duke thënë se ekipi “po luan shumë keq”.

Barazimi ndaj një skuadre që lufton për mbijetesë është quajtur “një katastrofë” nga drejtues të klubit, të cilët kërkojnë menjëherë kthesë të fortë në rezultatet dhe nivelin e lojës.

Pavarësisht nisjes së shkëlqyer në La Liga, me 10 fitore në 11 ndeshjet e para, brenda skuadrës kanë nisur pakënaqësi. Veçanërisht Vinicius Jr raportohet i pakënaqur me minutat dhe rolin e tij, pasi shpesh është lënë në stol ose zëvendësuar herët.

Raportime të mediave spanjolle thonë se deri në gjashtë lojtarë janë të pakënaqur me mënyrën e lojës dhe filozofinë e Alonso-s, që sipas tyre u kufizon lirinë në fushë. Mes emrave të përmendur janë Fede Valverde, Vinicius, Rodrygo, Brahim Diaz, Endrick dhe Ferland Mendy.

Përplasja më e madhe e raportuar është ajo mes Alonso-s dhe Vinicius Jr, me burime që pretendojnë se të dy kanë “rënë keq dakord”. Vinicius është lënë jashtë formacionit titullar katër herë këtë sezon dhe ka luajtur 90 minuta të plota vetëm në katër ndeshje. Madje thuhet se braziliani po ngurron të rinovojë kontratën derisa situata të zgjidhet.

Real Madrid renditet aktualisht i dyti në La Liga, vetëm një pikë larg Barcelonës. Ndeshjet e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Xabi Alonso-s, teksa drejtuesit kërkojnë një kthesë të shpejtë si në rezultate ashtu edhe në stilin e lojës së ekipit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta