Ish-piloti gjerman i Formula 1, Adrian Sutil, është arrestuar në kuadër të një “razie ndërkombëtare”, raportojnë mediat gjermane.

Sipas të përditshmes BILD, 42-vjeçari është ndaluar për akuzat e mashtrimit dhe përvetësimit të fondeve, ndërsa detaje të tjera mbi çështjen ende nuk janë bërë publike. Sutil nuk ka komentuar deri tani mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Sutil garoi për shtatë sezone në Formula 1, duke përfaqësuar ekipet Spyker, Force India dhe Sauber. Rezultatet e tij më të mira përfshijnë një vend të pestë në Çmimin e Madh të Monakos në vitin 2013.

Piloti gjerman ishte përfshirë edhe më herët në një incident të bujshëm në vitin 2011, në një klub nate në Shangai, ku drejtori i ekipit Lotus, Eric Lux, u plagos me një gotë shampanje. Sutil u shpall fajtor për dëmtim të rëndë trupor dhe u dënua me 18 muaj burg me kusht dhe një gjobë, çka e largoi përkohësisht nga Formula 1. Ai u rikthye në pistë në vitin 2013 me Force India.

Në vitin 2020, Sutil u bë sërish pjesë e titujve të mediave kur një McLaren Senna LM, që raportohej se i përkiste atij, u përplas në Monaco duke pësuar dëmtime të rënda. Supermakina, me vlerë rreth 1.248.000 paund, ishte një nga vetëm 24 ekzemplarët e prodhuar në botë, prej të cilave vetëm gjashtë në ngjyrën karakteristike papaya orange.

Momentalisht, autoritetet nuk kanë dhënë informacione shtesë mbi arrestimin e tij dhe hetimet pritet të vijojnë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta