Charles Leclerc ka hedhur poshtë me vendosmëri thashethemet për një kalim të mundshëm te Aston Martin në vitin 2027.

Në prag të Çmimit të Madh të Katarit, piloti monegask theksoi se e ardhmja e tij mbetet e lidhur fort me Ferrarin, duke e cilësuar ekipin italian si “historinë e tij të dashurisë”.

Gjatë konferencës për shtyp, Leclerc u shpreh se zërat për largim janë intensifikuar vetëm për shkak të periudhave të vështira që po kalon Ferrari: “Kur kalon një kohë të vështirë, gjithmonë ka më shumë thashetheme. Por, siç e kam thënë gjithmonë, e dua këtë ekip. E rëndësishme është që këto thashetheme të mos ndikojnë në punën tonë – dhe nuk po ndodh.”

Ai shtoi se skuadra është e bashkuar dhe e motivuar për të përmbysur momentin negativ: “Po përpiqemi shumë për ta kthyer situatën dhe për të heshtur këto zëra. Dua që kjo fundjavë të jetë e veçantë.”

Çmimi i Madh i Katarit pritet të jetë vendimtar edhe për Oscar Piastri, i cili beson se gara për titull mbetet e hapur pavarësisht skualifikimit të McLaren në Las Vegas.

Australiani mbetet optimist: “Kam ende një shans dhe dua ta përfundoj vitin mirë. Ritmi nuk ishte i mirë, pati gabime dhe fat të keq, por diferenca me Norris është më e vogël. Edhe Verstappen është aty. Jo gjithçka është më në dorën time, por besoj ende te titulli.”

Edhe Lewis Hamilton po kalon një periudhë të ndërlikuar në sezonin e tij të parë me Ferrarin. Sidoqoftë, britaniku zgjedh të fokusohet te gjërat pozitive, pavarësisht zhgënjimit pas garës në Las Vegas.

“Si mund ta gjykoj këtë vit të parë? Nuk mundem. Nuk ka qenë sezon perfekt, por po përpiqem të marr anët pozitive – atmosferën brenda ekipit. Kam qenë i frustruar në Las Vegas, por jam i emocionuar të shoh sesi do të vazhdojmë të rritemi.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta