Lando Norris vjen në garën e parafundit të Botërorit të Formula 1, Cmimin e Madh të Katarit me match-pointin e parë në dorë, i pari në karrierën e tij. Pavarësisht skualifikimit në Las Vegas, piloti i McLaren kryeson klasifikimin me 390 pikë dhe ka një avantazh prej 24 pikësh kundrejt Piastrit dhe Verstappen, të dy me 366 pikë.

Këtë fundjavë do të zhvillohen Gara Sprint të shtunën dhe gara klasike të dielën, evente që mund t’i japin titullin e parë në karrierë, pilotit britanik. Në total duke marrë parasysh vetëm vendin e parë në podium, në lojë janë 58 pikë dhe që të shpallet kampion në Katar, Norris duhet të fitojë të paktën 27 pikë në Garën Sprint dhe Garën klasike, shifra shkon në 26 në rast të fitores së vetëm një prej tyre.

Por Norris mund t’i mbyllë llogaritë e sfidës edhe pa triumfuar, në këtë rast do t’i mjaftojë të fitojë 2 pikë më shumë se Piastri dhe Verstappen në të dyja garat e kësaj fundjave. Një diferencë minimale do të jetë e mjaftueshme për Norris që të festojë titullin e tij përpara garës së fundit në Abu Dhabi. Praktikisht britanikut do t’i mjaftojë të jetë përpara rivalëve të tij brenda 8 vendeve të para, e madje do t’i mjaftojë edhe vendi i nëntë në garën e së dielës nëse Piastri dhe Verstappen mbeten jashtë zonës së pikëve

Në rast se dy ose të tre pilotët do të jenë me pikë të barabarta atëherë do të bëhet krahasimi i rezultateve të pilotëve duke nisur nga fitoret sezonale; aktualisht janë 7 fitore secili për Norris dhe Piastrin dhe 6 për Verstappen, me holandezin që ka fituar shumë terren kundrejt dy pilotëve të McLaren. Në fakt pas periudhës së pushimeve ka fituar 161 pikë, kundrejt 115 të Norris dhe 57 të Piastrit që është shfaqur në vështirësi të mëdha pas muajve të verës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta