“350 milionë euro për Shqipërinë”, BE për Top Channel: Bizneset të përgatiten për integrimin, të përfitojnë nga plani i rritjes

26/11/2025 15:18

Bashkimi Europian po zgjeron mbështetjen për bizneset në Shqipëri, me fonde të reja që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe tranzicionin e gjelbër.

Në një intervistë për Top Channel Shefja e Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE, Ritva Heikkinen shpjegon avancimin e projekteve në Shqipëri dhe sesi vendi ynë mund të përfitojë më shumë.

Inovacion, Mjedis dhe Ekonomi qarkulluese do të jenë edhe fushat e zbatimit.

Do të përmendja katër lloje instrumentesh. Së pari, grantet — të cilat i menaxhojmë këtu në Delegacionin e BE-së — përmes programeve si EU4Innovation ose EU4Circular Economy and Livable Cities. Kemi gjithashtu grante në nivel rajonal, që menaxhohen në Bruksel, si edhe grante të ofruara në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF). Përfshihen edhe programet ndërkufitare dhe programet ndër-rajonale.

Dhe së fundi, kemi instrumentin e ri financiar  Plani i Rritjes dhe Agjenda e Reformave  i cili mbështet reformat strukturore këtu në Shqipëri, që më pas përfitojnë edhe bizneset. Për shembull, përmirësimi i sistemit kadastral dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor, për të siguruar fuqi punëtore të kualifikuar për bizneset”, shprehet Ritva Heikkinen, shefe e bashkëpunimit, delegacioni i BE.

Vetëm për sektorin e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, fondet që BE janë rritur ndjeshëm kundrejt Shqipërisë dedikuar ekonomisë qarkulluese, menaxhimit të mbetjeve dhe përdorimit efikas të burimeve.

PYETJE: Cila është vlera e fondeve të dedikuara për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri?

Ne aktualisht kemi programe të BE-së që po zbatohen, të menaxhuara nga Delegacioni, me vlerë 113 milionë euro. Në proces miratimi kemi një program operativ për energjinë me vlerë 50 milionë euro. Nëse përfshijmë edhe grantet e WBIF që menaxhohen nga Brukseli, arrijmë në rreth 350 milionë euro fonde për programe që janë në zbatim ose në fazë përgatitore.”, përgjigjet Heikkinen.

Ndërsa integrimi europian pritet t’u hapë dyert bizneseve për programe të reja, konkurrenca do të kthehet në një faktor kyç sfidues.

PYETJE: si do të ndikojë integrimi evropian i Shqipërisë në aksesin e bizneseve ndaj fondeve të mëdha për inovacion dhe mjedis?

Konkurrenca do të jetë e fortë, pasi kompanitë e BE-së kanë vite eksperiencë në këto programe. Këshilla ime kryesore është të fillojnë të zbatojnë standardet e BE-së, si ISO-t, standardet digjitale, sepse kjo rrit interesin e kompanive të vendeve anëtare për të bashkëpunuar me bizneset në Shqipëri. Po kështu, është shumë e vlefshme krijimi i partneriteteve dhe kontakteve me kompani dhe institucione akademike në BE.

Është praktikë shumë e mirë që bizneset shqiptare të shikojnë që tani mundësitë që ofrojnë programet e BE-së dhe fondet e garancive. Dhe, së fundi, do të ishte e dobishme që bizneset të kishin një njësi ose ekip që merret me çështjet e integrimit në BE, ose të paktën të konsultonin ekspertë të kësaj fushe për menaxhimin e projekteve”, thotë Heikkinen.

Shqipëria është tashmë pjesë e një sërë projektesh, Fushata “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër” po ndihmon vendin tonë të përshpejtojë tranzicionin e saj të gjelbër teksa avancon në negociatat për Kapitullin 27  “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta