“Kënga e Mjellmës” në TKOB/ Testamenti i fundit muzikor i Schubert ngjitet në skenën e Operas

24/11/2025 19:59

 Krijimi i fundit artistik i Franz Schubert është Kënga e Mjellmës, një nga ciklet më prekëse të tij, kompozuar në 1828, pak muaj para ndarjes nga jeta.

“Mendoj se titulli Kënga e Mjellmës lidhet me idenë që mendohet se mjellma ka një këngë të fundit që ‘e këndon’ para se të vdesë’, u shpreh pianistja Etrita Ibrahimi.

Cikli përbëhet nga 14 lide që shënuan kulmin e krijimtarisë së Shubert, si drita e fundit që kompozitori i madh i la botës. Këto kompozime, në qendër të të cilave është një dashuri e pamundur, vijnë premierë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit të martën në mbrëmje nën interpretimin e baritonit Artur Vera dhe pianistes Etrita Ibrahimi.

Ndryshe nga ciklet e tjera të Shubertit që kanë vetëm një poet, këtu ka një ndarje të poezive. Shtatë të parat janë të Rellstab dhe tregojnë nostalgjinë e dashurisë së personazhit kryesor. Ndërsa shtatë të tjera nga Heine tregojnë për humbjen e dashurisë së personazhit. Janë dy gjendje të ndryshme të personazhit, të cilat ndihen në mënyrën se si vetë Shuberti e ka shkruar muzikën”, tha Ibrahimi.

Në skenën e Operas do të jehojë edhe Serenata e njohur e Schubert, një nga krijimet më poetike dhe më të dashura të repertorit, pjesë “Këngës së Mjellmës”.

“Të gjitha lidet tregojnë diçka, janë tepër të ndjera nga ana e kompozitorit, ndaj gjatë punës me to, e kam ndjerë veten pjesë të tyre. Këtë përpiqem ta justifikoj edhe gjatë interpretimit. Është një cikël shumë i vështirë lidesh sepse bëhet bashkë interpretimi teknik në unitet me poezinë, me fjalën”, u shpreh baritoni Artur Vera.

Ky cikël i njohur në të gjithë botën ishte testament i fundit i kompozitorit austriak, që la pas më shumë se 600 vepra vokale, si dhe disa simfoni dhe opera.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta