Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe përfaqësues të tjerë të këtyre prokurorive, zhvilluan një takim zyrtar me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës Ann Fransen, në datat 18-19 nëntor, në Bruksel, Belgjikë.

Takimi koordinues u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit të nënshkruara mes palëve si dhe në vijim të takimeve që u mbajtën vitin e kaluar në Tiranë. Diskutimet u fokusuan në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e produkteve të veprës penale, përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale, koordinimin e hetimeve dhe ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore. Gjithashtu u trajtuan çështje të ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive.

Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim vlerësuan shumë pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizuan rëndësinë për zgjerimin e mëtejshëm të tij përmes shkëmbimit më të gjerë të informacioneve, me qëllim hetimin e plotë të aktiviteteve kriminale që prekin të dy vendet.

Ndërkohë u diskutua edhe mbi hapësirat ligjore për përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të koordinimit, sidomos në drejtim të zbatimit efikas të legjislacionit antimafia, me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale ndaj subjekteve të hetuar ose të dënuar në të dy vendet.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta