Rrëshqitja masive e shkëmbinjve bllokon aksin Qukës-Qafë Plloçë, reagojnë demokratët/ Ivi Kaso: 260 milionë euro për një rrugë të pasigurt

23/11/2025 16:04

Shembja dhe bllokimi i segmentit Qukës–Qafë Plloçë, ka sjellë reagimin e demokratëve, teksa Ivi Kaso ka shkruar se u harxhuan 260 milionë euro për një rrugë të pasigurt.

“Shembet dhe bllokohet rruga Qukës- Qafë Plloçë, e inauguruar 3 herë përpara zgjedhjeve në fushatë, dhe hapur përfundimisht në shtator.

Pavarësisht se në 16 vite të ndërtimit të saj, kostot u frynë në mbi 260 milionë euro nga 90 që parashikohej maksimalisht, ende kjo rrugë nuk ofron asnjë standart në siguri e në lëvizje.

Pas zbardhjes së aferës së tunelit të Llogarasë, kjo rrugë është afera e radhës që kërkon hetim dhe transparencë të menjëhershme”, ka reaguar ai.

Nga ana tjetër, deputetja demokrate Ledina Alolli, ka deklaruar se aksi është kthyer në një skenë të tmerrshme aksidenti.

“Rruga në aksin Qafë Plloçë-Qukës është kthyer në një skenë të tmerrshme aksidenti, një dëshmi e qartë e dështimit fatkeq të shtetit. Shembja katastrofike e masivit shkëmbor mbi asfalt tregon jo vetëm mungesën totale të përgjegjësisë, por edhe korrupsionin që frymon në këtë dyshe fatale Rama-Balluku!

Këta dy emra janë sinonim i tenderave të pista dhe projekteve të pakryera dhe të papërfunduara , që jo vetëm varfërojnë financat publike, por edhe vënë në rrezik jetën e çdo qytetari që guxon të përdorë këtë rrugë. Në vend që të jetë rrugë qe shkurton distancën me Tiranën, ky aks është kthyer në rrugë rrezik vdekjeje, një shenjë paralajmëruese e rrezikut që na kanoset nga politika e korruptuar dhe paaftësia që dominojnë udhëheqjen.

Çdo metër i rrugës së shembur flet për një tjetër aferë, për një tjetër kontratë të lidhur në errësirë dhe për të tjera jetë të humbur potencialisht për shkak të indiferencës së kësaj dysheje korruptive.
Shoqëria meriton më shumë se propagandë ,ajo meriton siguri dhe investime të vërteta për infrastrukturën që i shërben atyre. Deri atëherë, çdo kilometër i këtij aksi do të mbajë gjurmë të përgjegjësisë së qeverisë që i ka kthyer rrugët në kurth për jetën e qytetarëve”, ka deklaruar ajo.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta