Rusia ka njoftuar se ende nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga SHBA për planin e paqes, pas deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se është i gatshëm të bashkëpunojë me administratën e Trump për një “vizion” për përfundimin e luftës.
Plani i SHBA-së, i cili është rrjedhur gjerësisht, përfshin propozime që Ukraina më parë i kishte refuzuar, siç janë dorëzimi i pjesëve të rajonit lindor të Donetskut që ende kontrollohen nga Kievi, reduktimi i ushtrisë ukrainase dhe premtimi për të mos u bashkuar me NATO-n. Këto masa duken të favorshme për Moskën dhe kanë marrë një reagim të kujdesshëm nga zyra e Zelensky-t.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, sulmet ruse vazhdojnë. Gjashtë persona humbën jetën gjatë natës, pesë në rajonin jugor të Zaporizhzhia dhe një në rajonin lindor të Dnipropetrovsk.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar pretendimet se Ukraina është lënë jashtë përgatitjes së planit, duke thënë se dokumenti u hartua pas takimeve midis emisarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Ëitkoff, dhe homologut rus Kirill Dmitriev. Një zyrtar amerikan i paidentifikuar tha për CBS Neës se plani u diskutua menjëherë me Rustem Umerov, një nga zyrtarët më të lartë në administratën e Zelensky-t, i cili ka bërë disa modifikime para se ta prezantonte atë presidentit.
Umerov tha se nuk kishte dhënë asnjë miratim ose vlerësim për planin dhe se Ukraina po “e shqyrton me kujdes propozimet e partnerëve të saj”.
Zelensky ka shmangur kritikën publike ndaj planit, duke thënë se e vlerëson “përpjekjen e presidentit Trump dhe ekipit të tij për të rikthyer sigurinë në Evropë” dhe se do të diskutojë propozimet me Trump në ditët në vijim.
Kremlini nga ana e tij tha se nuk ka marrë asgjë zyrtare nga SHBA-ja dhe se nuk ka pasur diskutime substantiale mbi pikat e planit. Zëdhënësi Dmitri Peskov shtoi se Rusia mbetet “plotësisht e hapur për bisedime paqësore”.
Plani i rrjedhur përfshin kufizimin e ushtrisë ukrainase në 600,000 persona, stacionimin e avionëve luftarakë evropianë në Poloni, heqjen e disa armëve ukrainase dhe “garanci të besueshme sigurie” pa detaje të sakta. Dokumenti synon gjithashtu rindërtimin e vendit të Rusisë në ekonominë globale dhe rikthimin e saj në G7.
Në Ukrainë, qytetarët dhe ushtarët shprehin skepticizëm.”Ky nuk është një plan paqeje, është një plan për të vazhduar luftën”, shprehet një qytetar. Një tjetër thotë “Shpresoj të mos e nënshkruajnë.”
Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, dhe avancimet ushtarake janë të ngadalta, përkundër humbjeve të mëdha. Ukraina dhe aleatët e saj evropianë vazhdojnë të kërkojnë një paqe “të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Top Channel