Edhe me BE, edhe me Rusinë, manovrave të Presidentit serb i “del boja” te çështja e naftës

21/11/2025 14:34

Aleksandar Vuçiç prej kohësh është përpjekur të ruajë një ekuilibër të vështirë mes integrimit europian dhe aleancës historike të vendit të tij me Rusinë.

Por kjo skemë e presidentit serb përballet me një sprovë të vështirë. Deri më 25 nëntor, Beogradi zyrtar duhet të vendosë se çfarë të bëjë me Industrinë e Naftës së Serbisë, NIS, çka hap dilema të thella energjetike, financiare dhe gjeopolitike që Serbia nuk mund t’i shtyjë më. NIS ka qenë në pronësi të shumicës nga Gazpromneft i Rusisë që nga viti 2008, prandaj është vënë nën sanksione të SHBA-së, të vendosura me arsyetimin se Rusisë duhet t’i ndalohet të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.

Këto sanksione janë shtyrë tetë herë që nga janari i këtij viti, por më në fund hynë në fuqi më 9 tetor. Zbatimi i tyre pati pasoja të menjëhershme: furnizimet me naftë përmes tubacionit Janaf praktikisht janë ndalur, duke i lënë rafineritë serbe me lëndë të para vetëm deri në fund të nëntorit, thanë zyrtarët serbë. Si furnizuesi i më shumë se katër të pestave të benzinës dhe naftës në vend, NIS ka një pozicion strategjik kyç në sistemin energjetik të Serbisë.

Ekspertët e energjisë paralajmërojnë se mbyllja e rafinerisë do të ketë pasoja katastrofike për ekonominë serbe. Përveç faktit që NIS punëson rreth 14.000 njerëz dhe kalon gati dy miliardë euro në buxhet, pasojat mund të jenë edhe më të mëdha, sepse NIS është në zonën e sanksioneve dytësore, çka nënkupton se do të preken të gjitha kompanitë që bëjnë biznes me të – përfshirë të gjitha bankat.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta