Tension i ri diplomatik Athinë–Moskë, Rusia kërcënon Greqinë pas marrëveshjes për prodhimin e dronëve detarë me Ukrainën

20/11/2025 22:41

Athina dhe Moska shkëmbyen deklarata të ashpra gjatë ditës së sotme, pasi Kremlini reagoi ndaj vendimit të qeverisë greke për të bashkëprodhuar dhe përdorur dronë detarë me Ukrainën.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Greqinë se po ndjek “një kurs provokues dhe konfliktual kundër Rusisë”.

Zakharova tha se Athina ka ndërmarrë “masa haptazi jomiqësore”, duke kujtuar se Greqia ishte ndër vendet e para që furnizoi Ukrainën me armë dhe municione, të cilat—sipas saj—përdoren “për sulme ndaj civilëve” në rajonet e kontrolluara nga Rusia. Ajo theksoi se Moska e konsideron si provokim të ri marrëveshjen e 17 nëntorit për zhvillimin dhe përdorimin e mjeteve të padrejtuara detare (USV), të cilat pritet të prodhohen në kantieret detare greke, me teknologji të përbashkët nga të dy vendet.

Sipas Zakharovës, ky hap është “një tjetër akt antirus i Perëndimit kolektiv që synon të shkaktojë disfatën e Rusisë në fushën e betejës, ndaj do të marrë përgjigjen e duhur nga ana jonë”.

Marrëveshja e nënshkruar mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky parashikon hapjen e një linje prodhimi të dronëve detarë në Greqi. Këto mjete do të përdoren si nga ushtria ukrainase, ashtu edhe nga forcat e armatosura greke, duke shënuar një bashkëpunim të ri strategjik mes dy vendeve.

Pak orë pas deklaratave të Zakharovës, burime diplomatike të Greqisë i cilësuan paralajmërimet ruse si të papranueshme.

“Kërcënimet ndaj shteteve sovrane hidhen automatikisht poshtë”, theksuan burimet zyrtare të Athinës, duke nënvizuar se Greqia udhëhiqet në politikën e jashtme nga parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe respekti për shtetet.

Po ashtu, Athina theksoi se çdo vend ka të drejtën e padiskutueshme të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, veçanërisht kur ato lidhen me çështje të sigurisë dhe energjisë. “Marrëveshja mes Greqisë dhe Ukrainës garanton stabilitet dhe siguri energjetike—elementë thelbësorë për mirëqenien e njerëzve”, shtuan burimet diplomatike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta