Një nga masat më të forta në botë për mbrojtjen e të miturve në internet, Australia ndalon çdo rrjet social për fëmijët nën 16 vjeç

20/11/2025 09:23

Australia ka vendosur një nga masat më të forta në botë për mbrojtjen e të miturve në internet, duke ndaluar aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.

Vendimi erdhi nga Komisionerja e Sigurisë Elektronike, Julie Inman Grant, si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për ndikimin e platformave dixhitale tek adoleshentët.

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka filluar tashmë fshirjen e llogarive të përdoruesve australianë që nuk plotësojnë kushtin e moshës. Qindra mijëra adoleshentë kanë marrë njoftime se profilet e tyre do të hiqen deri më 10 dhjetor. Kompania ka kërkuar nga prindërit të verifikojnë datat e lindjes së fëmijëve dhe të mos ndihmojnë në anashkalimin e kufizimeve të reja.

Autoritetet theksojnë se metodat e mëparshme të përdorura nga të rinjtë për të shmangur kontrollet e moshës nuk do të funksionojnë më.

Qeveria australiane ka publikuar listën zyrtare të platformave që ndalojnë aksesin për të miturit nën 16 vjeç. Ndër to përfshihen: Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat, YouTube, Reddit, Kick.

Shërbime si WhatsApp, Messenger, Discord, Roblox dhe Twitch janë të përjashtuara nga rregulli.

Mazhoranca e platformave rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë për shkelje të kufizimeve.

Zyrtarët e Meta pranojnë se zbatimi i rregullave është kompleks dhe kërkon teknologji më të avancuara për verifikimin e moshës, të cilat ruajnë privatësinë e përdoruesve. Kompanitë po punojnë për zgjidhje më efektive, por balancimi mes sigurisë dhe privatësisë mbetet sfidë.

Qeveria ka bërë thirrje që prindërit të marrin një rol aktiv në monitorimin e aktivitetit online të fëmijëve. Bashkëpunimi i familjeve shihet si thelbësor për zbatimin e masës dhe për parandalimin e përpjekjeve për anashkalim të rregullave.

Vendimi i Australisë ka ngjallur interes global, teksa shumë shtete po shqyrtojnë masa të ngjashme për mbrojtjen e të miturve në internet. Debati për kontrollin e moshës dhe sigurinë dixhitale pritet të intensifikohet në muajt e ardhshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta