Sulmet izraelite në Gaza, shkon në 33 numri i viktimave brenda 12 orësh
Ushtria libaneze ka arrestuar bosin më të madh të drogës në vend, Nouch Zaiter, i cili është nën sanksione të SHBA-së dhe Evropës, gjatë një operacioni në Libanin lindor sot, tha një burim ushtarak për AFP.
Baroni i drogës u “arrestua gjatë një operacioni ushtarak pranë Baalbekut, në Luginën Bekaa”, në kufirin me Sirinë.
Zaiter drejtonte një perandori droge në rajon, duke prodhuar dhe eksportuar drogëra të tilla si Captagon, një stimulues i ngjashëm me amfetaminën. Ai u akuzua nga gjyqësori libanez, i cili ka lëshuar dhjetëra urdhër-arreste kundër tij dhe e ka dënuar në mungesë me disa dënime me burg.
Në vitin 2023, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione ndaj Nouch Zaiter, si dhe dy kushërinjve të Presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Assad, për trafik droge, veçanërisht Captagon. Droga, e cila u prodhua në Siri para rënies së Assadit në dhjetor, përdoret gjerësisht në Lindjen e Mesme, ku Arabia Saudite është tregu më i madh. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Financave të Francës, Zaiter “ishte i lidhur me anëtarë të familjes Assad dhe ishte i përfshirë në trafikimin e Captagon në Liban dhe Siri”.
I lindur në vitin 1977 në një fis të fuqishëm të Luginës Bekaa, Zaiter kishte dhënë intervista për mediat, përfshirë Agence France-Presse, duke folur pa frikë për aktivitetet e tij të paligjshme.
Top Channel