Izraeli sulmon sërish Gazën, 28 të vrarë, mes tyre 9 fëmijë/ Hamasi-SHBA: Ushtroni presion ndaj Tel Avivit

20/11/2025 09:09

Të paktën 28 palestinezë, mes tyre 9 fëmijë, u vranë të mërkurën nga sulmet ajrore izraelite në disa zona të Gazës, duke shënuar përshkallëzimin më të fundit të dhunës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.

Ushtria izraelite deklaroi se goditi objektiva të Hamasit në Khan Younis, pasi “disa militantë” kishin hapur zjarr ndaj trupave izraelite. Sipas IDF, incidenti përbën shkelje të marrëveshjes së armëpushimit. Hamasi e mohoi këtë version dhe e cilësoi sulmin “përshkallëzim të rrezikshëm”, duke i bërë thirrje SHBA-së të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të respektuar armëpushimin.

Pamjet nga spitalet në Gaza tregojnë dhjetëra të plagosur dhe familjarë që presin pranë trupave të viktimave. Në zonën Zaytun, njëra prej goditjeve më të rënda la të paktën 10 të vdekur, ndërsa një tjetër sulm goditi një klub të UNRWA-s pranë Khan Younis, ku ndodheshin civilë.

Sulmet vijnë pak ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi planin e propozuar nga SHBA për të kaluar drejt një paqeje më të qëndrueshme dhe rifillimit të rindërtimit në Gaza. Megjithatë, tensionet në terren kanë shënuar rritje të vazhdueshme.

Izraeli zhvilloi gjithashtu sulme në Libanin jugor, duke shënjestruar, sipas tij, depo armësh të Hezbollahut. Një ditë më parë, një tjetër goditje izraelite në një kamp refugjatësh palestinez në Liban shkaktoi 13 të vdekur.

Pavarësisht tre përshkallëzimeve të mëdha që nga tetori, armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ka vijuar të mbahet, ndërsa procesi i shkëmbimit të pengjeve dhe të burgosurve ka hyrë në fazën e parë. Hamas ka dorëzuar të gjithë pengjet e gjallë dhe trupat e shumicës së viktimave.

Që nga nisja e luftës pas sulmit të 7 tetorit 2023, mbi 69 mijë palestinezë janë vrarë, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta