“Dëbimi i palestinezëve nga Izraeli, krime lufte”, Organizata e të Drejtave të Njeriut: Të hetohen zyrtarët e lartë izraelitë

20/11/2025 20:22

Largimi me forcë nga Izraeli i dhjetëra mijëra palestinezëve nga kampet e refugjatëve në Bregun Perëndimor të pushtuar përbën krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pretendon Organizata e të Drejtave të Njeriut.

Në një raport 105-faqesh të publikuar nga organizata jofitimprurëse, thuhet se 32 mijë palestinezë u dëbuan nga forcat izraelite nga tre kampe të refugjatëve në janar dhe shkurt, ndërkohë që vëmendja ndërkombëtare ishte e përqendruar tek lufta në Gaza. Sipas raportit, të zhvendosurve nuk u është lejuar të kthehen.

Organizata njofton se gjatë hulumtimit ka intervistuar 31 refugjatë palestinezë të zhvendosur nga kampet në Jenin, Tulkarem dhe Nur Shams. Organizata ka analizuar gjithashtu imazhe satelitore, urdhra ushtarakë për shkatërrime dhe video të verifikuara të operacioneve izraelite.

Në reagim ndaj raportit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) deklaruan për CNN-së se ushtria ka nisur Operacionin “Muri i Hekurt” në të tre kampet dhjetë muaj më parë, “në përgjigje të kërcënimeve të sigurisë dhe pranisë në rritje të elementëve terroristë”. IDF tha se ka shkatërruar “rreshta ndërtesash” për të krijuar “rrugë të reja hyrjeje brenda kampeve”, duke theksuar se prishjet janë kryer “bazuar në domosdoshmëri operacionale dhe proporcionalitet”.

Raporti i organizatës pretendon se Izraeli nisi sulmin në kampin e Jeninit më 21 janar, duke përdorur helikopterë Apache, dronë, dhe automjete të blinduara për të larguar banorët palestinezë. Operacione të ngjashme u zhvilluan në Tulkarem më 27 janar dhe në Nur Shams më 9 shkurt.

Sipas raportit, palestinezëve të zhvendosur nuk u është lejuar të kthehen, dhe disa që u përpoqën të hyjnë sërish në kamp u qëlluan. Vetëm një pjesë e vogël ka mundur të marrë sende personale. Analiza e imazheve satelitore gjashtë muaj pas operacioneve tregon se mbi 850 shtëpi dhe ndërtesa të tjera janë dëmtuar ose shkatërruar.

Organizata thekson se ushtria izraelite nuk ka ofruar strehim apo ndihmë humanitare për banorët e zhvendosur, të cilët janë detyruar të strehohen te të afërmit, në xhami apo në organizata lokale bamirësie.

“Autoritetet izraelite larguan me forcë 32 mijë palestinezë nga shtëpitë e tyre në fillim të vitit 2025, duke shkelur mbrojtjet e së drejtës ndërkombëtare dhe duke mos lejuar kthimin e tyre”, tha Nadia Hardman, studiuese e lartë për të drejtat e migrantëve në organizata.

“Me gjithë vëmendjen globale të përqendruar në Gaza, forcat izraelite kanë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe spastrim etnik në Bregun Perëndimor, të cilat duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht”, shtoi ajo.

Që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, ushtria izraelite ka intensifikuar operacionet në Bregun Perëndimor, duke synuar celulat militante palestineze, duke vendosur pika kontrolli dhe duke izoluar komunitetet. Ndërkohë, sulmet dhe uzurpimet e tokës nga kolonët izraelitë janë rritur ndjeshëm. Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor konsiderohen të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.

Organizata e të Drejtave të Njeriut tani bën thirrje për hetim ndaj zyrtarëve të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu, ministrin e Financave Bezalel Smotrich dhe gjeneralmajorin Avi Bluth, përgjegjës për operacionet në Bregun Perëndimor. Nëse gjenden përgjegjës, ata duhet të ndiqen penalisht për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, thotë organizata.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta