Botërori merr formë, kush janë 42 ekipet që janë kualifikuar deri më tani në Kupën e Botës 2026/ Mungojnë vetëm 6 nga play off-et
Tashmë është mbyllur faza e kualifikueseve të Botërorit 2026 për zonën evropiane dhe janë zgjidhur të gjitha enigmat teksa janë mësuar emrat e skuadrave të kualifikuara direkt dhe të atyre që do të luajnë në playoff.
Mes skuadrave që janë pjesëmarrëse në këtë fazë playoffi janë edhe Kombëtarja shqiptare dhe Kosova të cilat do të mësojnë fatin e tyre në shortin që do të hidhet ditën e enjte. Në total janë 16 skuadra që do të luajnë fazën e playoffit të cilat do te ndahen në 4 vazo. 12 ekipet e kualifikuara si vendet e dyta në grup do të jenë në 3 vazot e para një ndarje kjo që është bërë në bazë të klasifikimit të FIFA. Ndërsa në vazon e katërt janë skuadrat e kualifikuara nga Nations League.
Kombëtarja shqiptare dhe Kosova janë të dyja në vazon e tretë që do të thotë se nuk do të ketë asnjë përballje mes tyre. Bashkë me to në këtë vazo janë edhe Irlanda dhe Bosnje Hercegovina. Në vazon e parë janë Italia, Turqia, Danimarka dhe Ukraina, në vazon e dytë janë Polonia, Cekia, Uellsi dhe Sllovakia, ndërsa na vazon e katërt janë Suedia, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut.
Skema e zhvillimit të këtyre ndeshjeve të playoffit është e tillë; Skuadrat e vazos së parë do të ndeshen me ato të vazos së katërt; ndërsa ato të vazos së dytë me ato të vazos së tretë që do të thotë se Kombëtarja shqiptare dhe Kosova do të kenë si kundërshtar të mundshëm Poloninë, Çekinë, Uellsin ose Sllovakinë. Nëse Kombëtarja dhe Kosova do të fitojnë ndeshjet e tyre gjysmëfinalet e tyre, në finale do të përballen me skuadrat fituese që do të dalin nga sfidat mes skuadrave të vazos së parë me ato të vazos së katërt, pra në rast se Kombëtarja dhe Kosova do të mund të kualifikohen mund të përballen me Italinë, 4 herë kampione të botës, gjithnjë nëse edhe Të Kaltrit do të mund të eliminojnë kundërshtarin e tyre në gjysmëfinale..
Top Channel