“Kështu me faqe për muri ju pafsha”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, teksa po fliste për buxhetin.
“Nuk dua të marr shumë kohë edhe pse do më pëlqente të vazhdoja gjatë me këtë pamje ekskluzive që kam këtu. Jo më pëlqen por më frymëzon shumë dhe kështu me faqe për muri ju pafsha gjithmonë, vetëm me shëndet aman se na duheni gjallë”, u shpreh Rama.
Më tej ai shtoi “Për sigurinë, drejtësinë dhe rendin kemi një buxhet masiv. Natyrisht është një buxhet që diktohet nga detyrimet tona të patjetërsueshme në dy drejtime. Detyrimi në raport me anëtarësimin tonë në NATO dhe detyrimi në raport me drejtësinë e pavarur, pavarësinë e së cilës e garanton vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë dhe kështu në buxhetin që do të miratojmë kemi një rritje domethënëse të mbështetjes qoftë për mbrojtjen qoftë për drejtësinë.
Nuk dua të marr kohën e kolegëve të tjerë ministra që do të flasin më drejtpërdrejte për sa i përket aspekteve të përveçme të buxhetit në çdo sektor dhe do të flasin me detaje, por dua të shtoj një element të fundit që është skema e re e kompensimit për fermerët që nuk janë subjekt i TVSH. Me këtë kompensim të TVSH që do të kryhet drejtpërdrejtë nga administrata tatimore besoj që do t’i japim një shtytje domethënëse përpara edhe sektorit të bujqësisë duke i mbështetur drejtpërdrejtë fermerët dhe norma e rimbursimit që kemi vendosur është më konkurruesja në rajon dhe vendoset mbi nivelet 5% deri në 8% të vendeve të tjera, duke qenë në nivelin 10%“.
Top Channel