“Gjëra që ndodhin”/ Trump mbron princin saudit për vrasjen e Khashoggit

19/11/2025 07:45

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, mbrojti princin e kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, lidhur me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, ndërsa e mirëpriti atë në Shtëpinë e Bardhë.

Trump deklaroi se princi “nuk dinte asgjë” për ngjarjen, duke kundërshtuar raportin e inteligjencës amerikane të vitit 2021, i cili arriti në përfundimin se bin Salman kishte aprovuar operacionin që çoi në vrasjen e Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll.

Nga ana e tij, princi i cili mohon çdo përfshirje direkte, tha se Arabia Saudite “i bëri të gjitha hapat e duhur” për hetimin e vrasjes, një ngjarje që e quajti “të dhimbshme”.

Gjatë konferencës në Zyrën Ovale, Trump u përplas me një gazetar që e pyeti për çështjen:
“Po flisni për dikë shumë kontrovers,” tha ai. “Shumë njerëz nuk e pëlqenin atë njeri. Pavarësisht nëse e pëlqen apo jo, ndodhin gjëra. Por princi nuk dinte asgjë për këtë. Mos vendosni në siklet të ftuarit tanë.”

Vdekja e Khashoggit shkaktoi tronditje në marrëdhëniet SHBA–Arabia Saudite, ndërsa kjo ishte vizita e parë e princit në Uashington që prej asaj kohe.

E veja e Khashoggit, Hanan, tha për BBC se mbrojtja e Trump nuk përputhet me pranimin e vetë princit në vitin 2019, kur ai kishte thënë se mbante “përgjegjësi” për atë që e quajti një “krim të tmerrshëm”. Ajo kërkoi një takim me princin, si edhe falje dhe kompensim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta