“Duhet t’i lëshojë territore Rusisë”/ Plani amerikan për Ukrainën, Zelensky alarmohet dhe i kërkon ndihmë Erdoganit

19/11/2025 21:58

Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar Volodymyr Zelenskyn se Kievi do të duhet të pranojë një plan të ri të hartuar nga Uashingtoni për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Plani, i raportuar nga disa media ndërkombëtare, përbëhet nga 28 pika.

Disa prej tyre janë:

– Dhënia e kontrollit të plotë të Donbasit Rusisë;
– ngrirja e vijave aktuale të frontit në rajonet Kherson dhe Zaporizhia;
– një lloj “garancie sigurie” nga vendet e NATO-s për të penguar sulmet e ardhshme nga Moska;
– njohja amerikane e Krimesë dhe Donbasit si territore ruse;
– përgjysmimi i forcave të armatosura ukrainase dhe heqja dorë e Kievit nga armët me rreze të gjatë veprimi;
– njohja e rusishtes si gjuhë zyrtare shtetërore në Ukrainë dhe statusi zyrtar i Kishës Ortodokse Ruse.

Menjëherë pas publikimit të këtij plani ka reaguar Moska, duke njoftuar se “është e gatshme për bisedime mbi zgjidhjen ukrainase dhe se pauza në procesin negociues u shkaktua nga Kievi”.

Mediat ukrainase njoftuan se Zelensky është i pakënaqur me këtë plan dhe përveç vendeve të Perëndimit, i ka kërkuar edhe Erdoganit ndihmë që amerikanët të ndryshojnë disa nga propozimet.

Ndërkaq, të mërkurën të paktën 25 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet e reja ruse me dronë dhe raketa në qytetin e Ternopilit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta