Joe Biden hoqi kufizimin e përdorimit të tyre, Ukraina godet objektivat ushtarake ruse me raketat ATACMS Këshilli i Sigurimit i OKB-së i dha dritën jeshile rezolutës në mbështetje të planit të paqes së presidentit amerikan Donald Trump, i cili parashikon vendosjen e një force paqeruajtëse ndërkombëtare.
Trembëdhjetë nga 15 anëtarët votuan në favor të rezolutës, e cila, ndër të tjera, bën thirrje për një forcë trupash ndërkombëtare për të stabilizuar armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Projektrezoluta përmend gjithashtu një shtet të mundshëm palestinez në të ardhmen.
Rusia dhe Kina abstenuan nga votimi i rezolutës së paraqitur nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera, mes të cilave edhe Katari dhe Egjipti që janë të përfshirë në negociata si ndërmjetësues kryesorë. Rezoluta “mbështet” planin e paqes të Trump, i cili çoi në një armëpushim ende të brishtë midis Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas më 10 tetor.
Ky plan përfshin, ndër të tjera, çarmatimin e Hamasit, një qeveri kalimtare të përbërë nga ekspertë palestinezë apolitikë dhe formimin e një këshilli paqeje. Megjithatë, mbeten shumë pika mosmarrëveshjeje – duke përfshirë si çarmatimin e organizatës të Hamasit të kategorizuar si terroriste nga SHBA, Gjermania e vende të tjera, tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga territori dhe të ardhmen e Rripit të Gazës.
Përpara miratimit të rezolutës, kishte pasur kritika nga Izraeli sepse ajo i referohej “një rruge të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”.
Hamasi vetë e hodhi poshtë miratimin e rezolutës, me ankesën se forca ndërkombëtare e parashikuar aty, do të bëhet sipas tij, palë në konflikt dhe nuk i përmbush kërkesat palestineze. Trump sakaq e vlerësoi vendimin e Këshillit të Sigurimit, duke shkruar se ky “do të hyjë në histori si një nga miratimet më të mëdha në historinë e Kombeve të Bashkuara, që çon në paqe të mëtejshme në të gjithë botën dhe është një moment me përmasa vërtet historike!”
Top Channel