Nga Gjermania mbërrijnë lajme për ulje të taksës së fluturimeve me avion vitin e ardhshëm, kërkesë kjo e CDU/CSU-së.
Politikani, njëherazi ekspert transporti nga ky union, Stephan Stracke, tha për Bild am Sonntag, se nga një lëvizje e tillë përfitojnë dhe qytetarët. Stracke flet çmime më të ulëta të biletave pas uljes së miratuar të taksave për sektorin e aviacionit në Gjermani.
“Çmimet e biletave duhet të ulen. Kjo është ajo që pres nga linjat ajrore tani, veçanërisht Lufthansa”, u shpreh ai. Më e mira, sipas ekspertit, do të ishte që ulja e çmimeve të niste që përpara uljes së taksave më 1 korrik 2026.
“Atëherë pushimet e verës së ardhshme do të ishin tashmë më të lira”, është komenti i tij. Një hap i tillë konsiderohet se jo vetëm që do t’u dërgonte një sinjal pozitiv familjeve për pushimet verore, por do të nxiste edhe udhëtimet ajrore.
Industria e aviacionit është ankuar prej kohësh për barrën e rëndë të taksave dhe tarifave. Prandaj, udhëheqësit e koalicionit qeverisës të CDU/CSU dhe SPD ranë dakord këtë javë të ofrojnë lehtësim. Taksa e trafikut ajror do të ulet në nivelin para rritjes në maj 2024 që nga 1 korriku 2026, gjë që duhet të ofrojë lehtësim prej rreth 350 milionë eurosh.
Për më tepër, vitin e ardhshëm nuk do të ketë rritje të mëtejshme të tarifave të kontrollit të trafikut ajror. Tarifat pritet të ulen me më shumë se dhjetë përqind në përgjithësi deri në vitin 2029, dhe kostot për kontrollet e sigurisë në aeroporte do të ulen përmes proceseve të përmirësuara dhe më efikase.
Top Channel