Nis diskutimi i paketës fiskale në komisione, Malaj: Vëmendje paqja fiskale, pas saj nis mbledhja me forcë e detyrimeve të papaguara

17/11/2025 15:34

Pas depozitimit në kuvend kanë nisur diskutimet e paketës fiskale në komisionet parlamentare.

Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi në Komisionin e Ligjeve 8 projektligjet me ndryshimet që do të bashkëshoqërojnë buxhetin e viti 2026 me në fokus kryesor paqen fiskale. Faturë e cila sipas ministrit deri në fund të 2024 arriti në 160 miliardë lekë.

“Me projektligjin e Faljes së Detyrimeve Tatimore dhe Doganore, mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra që tashmë janë parashkruar. Më konkretisht mund të themi se marrëveshja e paqes fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026-2028. Borxhi i krijuar përpara 2014-ës është 100 miliardë lekë, pra që prej viteve 90’ deri në 2014-ën. Ndërsa në fund të 2024-ës borxhi ka arritur deri në 160 miliardë lekë.  Do të përfitojnë 202 mijë tatimpagues të cilët rezultojnë me borxhe”, u shpreh ministri i Financave, Petrit Malaj.

Deputetë të opozitës e kundërshtuan këtë paqe duke e cilësuar si një amnisti fiskale që do të nxis informalitetin.

“Ne nuk jemi duke ndërmarrë një amnisti fiskale. Nuk jemi në kushtet e një aminsitie fiskale për 3 fakte. Është një ligj I thjesht jo amnisti me 3/5 e votave. Kjo marrëveshje nuk ofron siguri juridike, ata që bëjnë evazion fiskal janë në hetim penal. Në rast se burimi i të ardhurave vijnë nga burime të dyshimta asnjë element nuk ofron mbrojtje. Nëpërmjet paqes fiskale ne nuk falim asnjë përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që mund të jetë nën hetim apo në procese gjyqësore”, tha Malaj.

Ministri Malaj e konsideron paqen fiskale si shansin e fundit teksa më pas do të nisi mbledhja me forcë e detyrimeve të papaguara.

“Është nisma e fundit kemi përmirësuar masat për të forcuar mbledhjen e të ardhurave, do të shkohet deri të bllokimi i llogarive bankare por dhe konfiskimi i aseteve. Dhe më pas nga shitja e aseteve do të mbulohen detyrimet tatimore”, u shpreh ministri.

Paketa fiskale u miratua në parim në Komisionin e Ligjeve me 11 vota pro ndërsa pritet të kalojë edhe në komisionet e tjera

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta