“Dielli i ditës tjetër”/ Instalacioni i Blerta Kambos mbi mozaikun ‘Shqipëria’, piktori: Nuk mund të luhet me historinë tonë

17/11/2025 20:50

“Dielli i ditës tjetër” është instalacioni i Blerta Kambos i krijuar si imazh solidariteti për 1 në 12 gratë që përballen me kancerin e gjirit.

Vepra do të qëndrojë për disa ditë mbi mozaikun “Shqipëria” në Muzeut të Tiranës pa e dëmtuar, si një shtrese që flet për guximin dhe shpresën.

“Frymëzimi janë gratë dhe forca e tyre. Kuptova që dhimbjen e tyre nuk mund ta marr asnjëherë përsipër, sepse nuk e kam kaluar, por ajo që mund të kuptoj dhe të shoh është forca e tyre. Doja të tregoja se ato mbeten të forta dhe kanë një bukuri të brendshme”,  është shprehur fotografja Blerta Kambo.

Por, përse fotografja zgjodhi të vendosë instalacionin e gruas së qethur, me shenjë në gjoks, mbi portretin e “Nënës Shqipëri” në qendër të mozaikut?

“E adhuroj këtë figurë femërore, pavarësisht se vjen nga një periudhë tjetër, përfaqësonte një ideologji krejt tjetër, unë e shoh në syrin bashkëkohor të një figure të fortë, që ecën përpara, që është fitimtare, për më tepër që është në qendër të Tiranës dhe doja që njerëzit ta shihnin”, tha fotografja.

Por “Dielli i ditës tjetër” ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë keqinterpretuar veprën, duke e lidhur edhe me komunitetin LGBTQ. E prekur nga këto komente, Kambo thekson se instalacioni nuk prek mozaikun artistik dhe nuk ka lidhje me agjenda politike, ideologjke apo sociale.

“Refuzoj të mendoj që shqiptarët nuk duan gratë dhe nënat e tyre, refuzoj të besoj se nuk jemi solidar me njëri-tjetrin, sepse unë kam lënë Londrën për këtë arsye, sepse më mungonte ndjesia e komunitetit. Refuzoj të mendoj se shqiptarët janë fyer me një simbol nacional që nuk është dëmtuar dhe së dyti refuzoj të mendoj se i japim rëndësi çdo gjëje tjetër para shëndetit të grave”, tha Kambo.

Ky projekt në një monument kulture të kategorisë së parë, ka sjellë edhe reagime nga artistët, përfshirë Anastas Kostandini, një nga autorët e mozaikut “Shqipëria”. Në një përgjigje për Top Channel, piktori e konsideroi të pakuptimtë përzgjedhjen e mozaikut historik për këtë instalacion.

“Më vjen keq për institucionet që e kanë miratuar, nuk kanë marrë parasysh askënd. Nuk mund të luhet me historinë tonë, pasi nuk është e ndershme. E di mirë se ç’është kanceri sepse e kam pasur më familje një gjë të tillë por ç’punë ka mozaiku me këtë, instalacioni nuk është efikas në lidhje me sensibilizimin. T’i lenë veprat në solemnitetin e tyre”, deklaroi piktori Anastas Kostandini.

Mozaiku, për të cilin punuan specialistët më të mirë të vendit, u përurua në 1981 dhe paraqet një skenë masive me luftëtarë, e cila përbëhet nga 13 personazhe, që nga ilirët me shpata, harqe e parzmore, deri te partizanët me pushkë në dorë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta