Kanabis në rënie/ Raporti i “Guardia Di Finanza”: Më pak rrënjë të mbjella në Shqipëri, ndryshojmë monitorim

11/11/2025 15:22

203,960 bimë kanabisi identifikuar dhe asgjësuar këtë vit nga policia e shtetit nga të cilat më shumë se gjysmat janë identifikuar nga ajri falë bashkëpunimit me partnerët Italian të GDF.

Monitorimet e GDF tregojnë një ulje të lehtë të këtij fenomeni krahasuar me një vit më parë. Zona më problematike në këtë drejtim vijon të jetë Shkodra. Në konferencën e përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza për misionet anti-kanabis deri më 31 tetor të këtij viti, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ilir Proda deklaroi se kundër narkotikëve në ndihmë ka ardhur edhe teknologjia.

“Deri më 31 tetor 2025, Policia e Shtetit kreu 217 119 kontrolle në 330 431 orë shërbimi. Objektet e kontrolluara përfshinë: sera, magazina, shtëpi të braktisura, tunele dhe ambiente të hapura. Për vitin 2025, përdorimi i dronëve u rrit në 76 pajisje. Sistemi elektronik “GIS-NARKOTIK” ofroi të dhëna më të plota dhe raporte analitike për ndjekjen e kultivimit të kanabisit”, u shpreh Ilir Proda.

Kultivuesit shqiptarë të kanabisit kanë ndryshuar varietetin e drogës që kultivojnë po ashtu edhe mënyrat e funksionimit ccka ka detyruar GDF të ndryshojë planet për kontrollin e territorit.

Si pasojë e këtyre ndryshimeve të modës operandit të organizatave kriminale dhe falë informacioneve të marra nga autoritetet shqiptare është rimoduluar periudha e kryerjes së kësaj fushate nga ajri. Është shtyrë gjithashtu kohëzgjatja e veprimtarisë së kontrollit deri në gjithë muajin tetor për identifikimin e bimëve të ashtuquajtura të vona edhe si pasojë e përdorimit nga ana e kultivuesve e një fare tjetër. Në 2025-ën sipërfaqe objekt monitorimi qe 61,1% e territorit shqiptar

Për veprën penale të kultivimit të kanabisit gjatë 10 muajve policia e shtetit ka identifikuar 191 shtetas të implikuar, nga të cilët 106 janë arrestuar, 36 janë ndaluar, 17 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 32 janë shpallur në kërkim.

Top Channel