Qiratë rrisin inflacionin, arrin në 2.3% në tetor/ Ndikuan edhe çmimet e ushqimeve

10/11/2025 19:52

Inflacioni është rritur lehtë në tetor, por vijon të mbetet në nivele të kontrolluara. INSTAT raporton se norma mujore arriti 2.3%, nga 1.9% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe krahasuar me muajin shtator, çmimet janë rritur vetëm me 0.1%, duke treguar një tendencë të qëndrueshme, pa goditje të forta në treg.

Sipas të dhënave të institutit janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve gjatë këtij viti. Grupi i qirave, ujit dhe energjisë ka dhënë ndikimin më të madh me 0.87% në inflacionin e tetorit. Këto janë kategori të domosdoshme të cilat familjet shqiptare nuk mund t’i shmangin, ndaj ndikimi i tyre në koston e jetesës është i drejtpërdrejtë.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike përbëjnë kontribuuesin e dytë kryesor me 0.55 %. Ndërsa brenda këtij grupi, tre zëra kanë pasur rritjen më të ndjeshme: vajrat dhe yndyrnat, të cilat janë shtrenjtuar me 4.9%, qumështi, djathë dhe vezët, me një rritje prej 4.2%, mishi, i cili ka shënuar 2.9%. Produkte të cilat përbëjnë shportën bazë të konsumit të familjeve, ndaj çdo lëvizje e tyre ndikon menjëherë në buxhetet e shtëpisë.

Në anën tjetër, disa kategori kanë vepruar në drejtim të kundërt dhe kanë frenuar rritjen e inflacionit. Çmimet e transportit dhe atyre të argëtimit kanë pësuar ulje të lehtë, duke krijuar një efekt balancues në ecurinë totale të çmimeve dhe duke bërë që inflacioni të mbetet nën presion të kontrolluar.

Ecuria e inflacionit përgjatë vitit tregon stabilitet ndërsa norma mbetet brenda intervalit të synuar. Banka e Shqipërisë thekson se objektivi i saj mbetet inflacioni rreth 3%, dhe niveli aktual konsiderohet i qëndrueshëm dhe në linjë me parashikimet, por kërkohet vëmendje e vazhdueshme për grupet bazë të konsumit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta