Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mandatoi Glauk Konjufcën e Lëvizjes Vetëvendosje si mandatar të dytë për formimin e qeverisë, pa ndonjë provë që kjo parti ka 61 vota për ta zgjedhur si kryeministër.
Ky vendim i presidentes, njohësit e politikës thonë se i shkon në favor Albin Kurtit, që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të shkojnë sa më afër fundit të vitit.
Sipas analistit politik Arbnor Sadiku, ky veprim i Presidentes Osmani i shkon në favor kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, pasi i mundëson atij të fitojë kohë që zgjedhjet e reja parlamentare të zhvillohen sa më afër fundit të vitit.
“Ajo që po shihet tani është blerja e kohës që në një të kalohet balotazhi, procesi ku komunat janë faktikisht në zgjedhje dhe të gjendet opsioni më i mirë i një datë për zgjedhje të reja parlamentare.”, tha Sadiku.
Në këtë pikë, konsiderohet se ka një aleancë mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, dhe presidentes Osmani, e cila synon edhe një mandat tjetër si udhëheqëse e shtetit.
“Në një formë ose tjetër, është një lloj aleance e ndërlidhur para katër viteve ose pesë po bëhen dhe i ka pasë disa turbulenca kur partia Guxo kaloi në Vetëvendosje dhe pas kësaj, si duket prapë kanë fillu të vallzojnë tango zonja Osmani me z. Kurtin, sepse si duket nuk kanë gjetur, ose të paktën znj. Osmani s’ka pasur alarme nga LDK-ja që mund ta pranojnë përsëri.”, analizoi Arbnor Sadiku.
Njohësit shtojnë se mbështetja te Kurti është opsioni i vetëm për Osmanin, e cila ka edhe pak muaj në pozitën e presidentes. “Meqë opsioni i vetëm i zonjës Osmani është aktualisht që mund të jetë në aleancë me z. Kurti dhe LVV-në, ajo po e shfrytëzon këtë mundësi.”
Lëvizja Vetëvendosje ka afat deri më 19 nëntor të prezantojë dhe kërkojë mbështetjen e deputetëve për qeverinë e re. Në rast se dështon edhe një herë, Presidentja e Kosovës duhet të shpallë zgjedhjet jo më herët se 30 ditë e jo më vonë se 40 ditë.
Top Channel