Ministria e Bujqësisë në vitin e ardhshëm do të gëzojë buxhetin më të madh në historinë e saj, duke shënuar një rritje prej 11% nëse e krahasojmë me buxhetin e 2025.
Saktësisht, Ministria e Bujqësisë do të marrë 14 milionë euro më shumë, duke arritur në një buxhet prej 162 milionë eurosh për vitin 2026.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Fatmir Guri, thotë se ndryshe nga vitet e tjera, një zë i rëndësishëm që pritet të marrë edhe pjesën më të madhe të tortës së buxhetit është infrastruktura e laboratorëve rajonalë të bujqësisë.
“Nga ky proces derivon i gjithë procesi sa i përket nivelit të legjislacionit shtesë dhe ndërtimit të sistemeve që monitorojnë dhe mbështesin proceset e aplikimit të Skemës Kombëtare, si ato që lidhen me forcimin e laboratorëve”, u shpreh Guri.
Një tjetër lajm nga projektbuxheti është se nga 1 janari i 2026 pritet të nisë skema e re e kompensimit për fermerët, ku propozohet që ata të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore, përfshirë farat, pesticidet dhe fidanët.
“Paketa fiskale parashikon që 10% e pagesës së vlerës së faturës për të gjithë fermerët me NIPT do të rimbursohet dy herë në vit për fermerin”, thotë zv.ministri.
Për përfitimin e kompensimit, blerësi detyrohet të lëshojë faturën tatimore të fiskalizuar, ndërsa fermeri duhet ta kërkojë dhe disponojë këtë faturë në funksion të përfitimit të kompensimit që do të bëhet dy herë në vit. Por është detyrë e administratës tatimore që të mos ketë abuzime dhe kompensimi të shkojë tek njeriu i tokës.
Eksperti i ekonomisë, Gjergji Tafa thotë: “Ne kemi dëgjuar që nga elementë të ndryshëm ka individë jo të drejtë, të cilët nuk bëjnë biznese në mënyrë të rregullt, bëjnë spekulime dhe ndërhyjnë edhe tek fermeri, dhe kjo mund të ndikojë më pas në rritjen e çmimeve.”
Fermerët që do të përfitojnë kompensimin e TVSH-së duhet patjetër të jenë të pajisur me NIPT fermeri. Një politikë e tillë synon të rrisë formalizimin e sektorit të bujqësisë.
Top Channel