Tragjedi në Nepal/ 9 alpinistë humbin jetën nga dy ortekë, mes tyre italianë, gjermanë dhe francezë
Dick Cheney, zëvendëspresidenti më i fuqishëm modern i Amerikës që shërbeu në dy mandate nën administratën e George W. Bush dhe arkitekti kryesor i “luftës kundër terrorizmit” ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Ai ndihmoi dhe në udhëheqjen e vendit në luftën e dështuar të Irakut mbi supozime të gabuara.
84-vjeçari vdiq të hënën në mbrëmje nga komplikacionet e pneumonisë dhe sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut, tha familja e tij. Ai kishte luftuar me probleme të zemrës për pjesën më të madhe të jetës së tij, duke vuajtur të parën e një serie sulmesh në zemër në moshën 37 vjeç. Ai iu nënshtrua një transplanti zemre në vitin 2012.
Me reputacionin e tij si luftëdashës, ai kontribuoi në iniciativën e Presidentit George W. Bush për të pushtuar Irakun bazuar në informacionin e inteligjencës – që më vonë u vërtetua të ishte i pasaktë – se Saddam Hussein kishte grumbulluar armë të shkatërrimit në masë.
Pasi dy mandatet e tij si nënpresident përfunduan në vitin 2009, Cheney u bë një nga republikanët më të shquar të vendit që kundërshtoi Donald Trump. Së bashku me vajzën e tij, Liz Cheney, një ish-kongresiste, Dick Cheney tha se do të votonte për demokraten Kamala Harris në zgjedhjet e vitit 2024. “Nuk ka pasur kurrë një person që përbën një kërcënim më të madh për demokracinë tonë sesa Donald Trump”, tha Cheney para zgjedhjeve, të cilat i fitoi Trump.
Si zëvendëspresident nga viti 2001 deri në vitin 2009, Cheney luftoi shumë për të zgjeruar pushtetet e presidencës, duke besuar se ato ishin minuar nga skandali Watergate, i cili çoi në dorëheqjen e ish-shefit të tij Richard Nixon.
Ai gjithashtu zgjeroi ndikimin e zëvendëspresidentit, duke krijuar një ekip sigurie kombëtare që shpesh funksiononte si një qendër autonome pushteti brenda qeverisë.
Top Channel