Ish-piloti brazilian i Ferrarit, Felipe Massa, ka nisur një betejë ligjore 17 vjet pas Çmimit të Madh të Singaporit 2008, duke paditur FIA-n dhe Formula One Management për të ashtuquajturin skandal “Crashgate”.

Massa pretendon se humbi Kampionatin Botëror për shkak të një gare të parregullt dhe kërkon dëmshpërblim prej 82 milionë dollarësh (rreth 71 milionë euro).

Në garën historike, e zhvilluar për herë të parë natën në F1, Massa nisi nga pole position dhe ishte një nga pretendentët kryesorë për titull.

Megjithatë, pas 15 xhirove, piloti i Renault, Nelson Piquet Jr., përplaset qëllimisht, duke aktivizuar Makina e Sigurisë dhe favorizuar shokun e tij të skuadrës, Fernando Alonso, i cili fitoi garën. Massa përfundoi i 13-ti dhe humbi titullin për vetëm një pikë ndaj Lewis Hamilton.

Hetimet zyrtare në vitin 2009 konfirmuan se përplasja ishte shkaktuar qëllimisht, duke çuar në skualifikimin e përkohshëm të drejtuesve të Renault, Flavio Briatore dhe Pat Symonds.

Megjithatë, vendimi nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar të kampionatit, dhe titulli nuk mund të rikthehet.

Massa mbështet kërkesën e tij ligjore në deklaratat e Bernie Ecclestone dhe Max Mosley, të cilët pranuan më 2023 se gara duhej të ishte anuluar për shkak të incidentit të fabrikuar, por vendosën të mos e bënin për të ruajtur imazhin e sportit.

Seanca dëgjimore për kërkesën e Massa-s u zhvillua në Londër më 28 tetor dhe përfundoi më 31 tetor, pa një vendim të menjëhershëm.

FIA thekson se kërkesa e brazilianit për dëmshpërblim anashkalon gabime të mundshme të tij dhe të ekipit Ferrari gjatë garës dhe sezonit.

Ky rast rikthen në kujtesë një nga skandalet më të mëdha të Formula 1, dhe tregon se, edhe 17 vite më pas, pasionet dhe mosmarrëveshjet e vitit 2008 vazhdojnë të ndikojnë në jetën dhe karrierën e pilotit brazilian.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta