Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “DW”, ka folur mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sfidat e mbetura dhe pritshmëritë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ai u shpreh se qeveria shqiptare po punon mbi një kalendar të dakordësuar me Bashkimin Evropian, që parashikon përmbushjen e të gjitha detyrave brenda vitit 2027, në mënyrë që më pas Komisioni Evropian t’i rekomandojë vendeve anëtare përmbylljen me sukses të negociatave.

“Sfida është të përmbushim të gjitha detyrat që ka ky proces. Kemi një kalendar të dakordësuar bashkë me Bashkimin Evropian për t’i përmbushur të gjitha detyrat brenda vitit 2027 dhe për ta vendosur Komisionin Evropian në pozicionin që t’ju thotë vendeve anëtare se Shqipëria ka kryer me sukses negociatat. Më pas kemi parashikuar një tjetër 2-vjeçar për ratifikimin në të gjitha vendet anëtare. Mund të jetë edhe më shpejt, por kemi vendosur maksimumin, prandaj kemi 2030 si një datë. Nuk është një afat imagjinar apo i vendosur thjesht nga dëshira, por është bazuar mbi planin që thashë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka përparuar me ritme të shpejta në krahasim me vendet e tjera të rajonit që ndodhen në procesin e integrimit, duke kaluar nga fundi i listës në mesin e vendeve më të avancuara.

“Shqipëria ka qenë në fund të kësaj liste dhe ka përparuar shpejt krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, etj.” tha ai, duke theksuar se vendi është tashmë në “pararojë” së bashku me Malin e Zi.

“Kjo nuk është në dorën apo dëshirën tonë. Ne e kemi nisur nga shumë prapa këtë garë dhe tani jemi në pararojë, së bashku me Malin e Zi, me gjasa që të ecim bashkë në këtë proces. Vendet e tjera kanë probleme të një natyre tjetër që duhen zgjidhur. Maqedoninë e Veriut e mban lidhur Bullgaria për të zgjidhur një problem mes tyre, Kosovën dhe Serbinë i pengon fakti i mosnjohjes së ndërsjellë, ndërsa Bosnja është një rast tjetër i komplikuar”, u shpreh Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta