“Ata donin të na vrisnin”/ Tensioni në duelin me Interin, Conte pas përplasjes me Lautaron: Nuk e paskam njohur mirë

25/10/2025 22:19

Antonio Conte shijoi plotësisht fitoren e Napolit ndaj Interit, një mbrëmje e tensionuar që solli edhe rikthimin e napolitanëve në krye të tabelës.

Përveç rezultatit, tekniku italian komentoi me sportivitet edhe incidentin me ish-sulmuesin e tij, Lautaro Martinez.

“Ka ndonjë punë të papërfunduar? Kur luan ndeshje të tilla, këto gjëra ndodhin. Dua të kujtoj dy vitet e mia te Interi: sollëm sërish Scudetton pas 10 vitesh, duke ia marrë Juventusit pas një cikli nëntëvjeçar. E dini mirë se çfarë do të thotë Juventusi për mua. Kam kujtime të mrekullueshme. Lautaro është një lojtar i shkëlqyer, por ndoshta nga ana njerëzore nuk pata mundësinë ta njoh mirë. I uroj gjithë të mirat — dhe kjo është në rregull,” u shpreh Conte.

Fitorja ndaj zikaltërve erdhi pas dy humbjeve radhazi kundër Torinos dhe PSV-së, duke i dhënë fund momentit të vështirë të Napolit.

“A e pamë sërish Napolin tonë? Ishim përballë një skuadre shumë të fortë, sipas meje më e mira në Itali. Nuk arrin dy herë në finalen e Champions-it në tre vite nëse nuk je i jashtëzakonshëm. Interi ka një skuadër të paarritshme për të tjerët. Megjithatë, ne fituam pavarësisht dëmtimeve të shumta, përfshirë edhe episodin e penalltisë së De Bruyne. Nuk është një vit me fat — ndoshta dikush na solli pak fat të keq… Interi erdhi për të na vrarë, por ne nuk donim të dorëzoheshim. Edhe me vështirësi, dhamë një performancë të shkëlqyer,” tha trajneri i Napolit.

Ndeshja u vendos nga një penallti e kontestuar e dhënë nga arbitri Mariani për ndërhyrjen e Mkhitaryan ndaj Di Lorenzos, një vendim që shkaktoi reagime në kampin zikaltër. Conte nuk hezitoi të komentojë edhe këtë aspekt, duke dërguar një “thumb” ndaj Interit:

“Ky është ndryshimi mes Napolit dhe Interit. Interi dërgon Marottën për të folur, ndërsa ekipet e tjera dërgojnë trajnerët e tyre. Për Napolin, do të jem unë ai që do të dal. Një skuadër e madhe duhet të analizojë pse humbi, jo të kërkojë justifikime. Unë nuk do ta lejoja kurrë një drejtues apo president të dilte publikisht për të komentuar — kjo e nënvlerëson trajnerin. Unë gjithmonë e kam mbrojtur veten dhe nuk kam kërkuar kurrë që dikush të sillet si “babai” im në publik.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta