“Korrupsion aktiv në zgjedhje”, SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun e Vaut të Dejës
Andrei Kovaçeviç, kryetar i Komisionit Parlamentar të BE-së për Anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, nga Pusteci ka deklaruar se procesi i integrimit europian është thelbësor si për Bashkimin Europian, ashtu edhe për vendet kandidate.
Ai theksoi se, në këtë moment të ndjeshëm gjeopolitik, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen sa më shpejt në BE, duke u vlerësuar secila sipas meritave dhe përparimit të reformave. Sipas tij, Shqipëria është nkë ndër vendet më të avancuara drejt BE-së.
Në përfundim, Kovaçeviç përsëriti thirrjen që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëseardhura në BE, por vetëm përmes reformave, pajtimit dhe përmbushjes së kushteve europiane.
Deklarata e plotë:
Procesi i integrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dyja palët, si për Bashkimin Europian, ashtu edhe për vendet kandidate. Në këtë situatë të vështirë gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas meritave të veta dhe sipas përparimit të reformave. Për këtë arsye, ne i shohim të gjitha vendet në mënyrë të veçantë.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të integrimit dhe të procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Shpresa jonë është që në vitet e ardhshme të mund t’u themi mirëseardhjen si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria.
Ballkani duhet ta kapërcejë atë që ndoshta në të kaluarën na ka ndarë dhe sot të investojmë vetëm në marrëdhënie të mira fqinjësore, në lidhje infrastrukturore, ekonomike, tregtare e financiare, në lidhjet mes njerëzve. Të ketë më shumë vizita ndërmjet vendeve të ndryshme të Ballkanit, të rinjtë të kenë mundësinë të arsimohen aty ku dëshirojnë, ndërsa kufijtë të jenë simbolikë, ashtu siç ndodh në vendet e tjera, përfshirë edhe vetë Bullgarinë, e cila tashmë është pjesë e kësaj pjese të zonës Shengen.
Kjo është plotësisht e realizueshme. Kjo varet nga vetë ju dhe unë e konsideroj Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare si një nga më pro-evropianet dhe euroatlantiket. Mendoj se kur shumica dhe opozita kanë të njëjtin qëllim, të kontribuojnë vërtet në anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kjo do të bëhet realitet. Pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, kjo çështje duhet t’i bashkojë të gjithë dhe, nga ato që kam vëzhguar në parlamentin shqiptar, si qeveria edhe opozita janë të unifikuara në këtë drejtim.
Unë pres që më në fund të nisin edhe ata negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, sapo të përmbushin kushtet që ka pranuar vetë Republika e Maqedonisë së Veriut. Ne, si Republikë e Bullgarisë, nuk kemi pasur kurrë problem me emrin Republika e Maqedonisë dhe Bullgaria në asnjë mënyrë nuk e pengon anëtarësimin europian të Maqedonisë. Përkundrazi, ne e mbështesim fuqimisht që vendi të ecë përpara. Kjo nënkupton edhe përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, njësoj si të gjitha komunitetet e tjera përbërëse të shtetit. Gjithashtu kërkojmë që të mos ketë diskriminim ndaj atyre që deklarojnë hapur identitetin e tyre historik bullgar.
Një thirrje e qartë se ne i mirëpresim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian, por ato duhet të realizojnë reformat e tyre dhe pajtimin me të kaluarën. Ato vetë duhet të kapërcejnë pengesat që na ndalojnë, e që vijnë nga epokat e shkuara.
Në Maqedoninë e Veriut ndiqen edhe mediat shqiptare. I bëj apel mikut tim, Hristijan Mickoski, që pas fitores elektorale dhe pas përfundimit të raundit të dytë për partinë e tij, të lërë pas disa nga parullat e vjetra dhe sa më shpejt të nisin negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ne do t’i mbështesim dhe dëshirojmë anëtarësimin e Republikës së sotme të Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe të Shqipërisë, por çdo vend vlerësohet veçmas, në bazë të përparimit të tij.
Top Channel