Gjyqi në Hagë për ish-krerët e UÇK-së: gjenerali Wesley Clark do të dëshmojë në mbrojtje të Thaçit
Edhe dy ditë ka kohë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, si i mandatuar për formimin e qeverisë për të paraqitur programin e përbërjen para Kuvendit.
Seanca për formimin e qeverisë do të mbahet të dielën, në orën 10:00.
Vendi ka mbetur me ekzekutiv në detyrë e pa kuvend funksional për gati një vit, duke rrezikuar edhe funksionalizimin e vetë shtetit. Për shkak të kufizimeve, qeveria në detyrë nuk ka nxjerrë akoma ligjin për buxhetin për vitin e ardhshëm. E nëse vendi nuk formon qeverinë brenda vitit atëherë shteti mund të funksionojë vetëm në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm me 1/12 e buxhetit.
“Nëse nuk kemi Kuvend dhe qeveri të formuar, atëherë në mars të vitit të ardhshëm nuk mund të kryhet asnjë pagesë, nga asnjë institucion, do të thotë se pagat nuk mund të dalin në sektorin publik, nuk mund të kryhen shërbime për qytetarët, nuk mund të shpenzohet asnjë cent nga buxheti i republikës së Kosovës”, shprehet Ehat Miftari, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Krahas kësaj, shumë institucione të pavarura, bordi i të cilave zgjedhjet përmes Kuvendit po rrezikojnë funksionalizimin si pasojë e kësaj bllokade.
“Nëse kjo vazhdon, deri në fund të vitit por edhe deri në vitin tjetër do të kemi edhe institucione të tjera që nuk mund të ushtrojnë kompetencat e tyre për shkak të jofunksionalitetit”, shtohet Miftari.
Ndërkohë, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian e janë në rrezik edhe përfitimet e të tjera financiare nga marrëveshjet ndërkombëtare që shkojnë mbi një miliard euro.
“Këto fonde janë me afat skadence, që nënkupton që në vitin 2024-2025 po dështojmë me i ratifiku këto marrëveshje është më se e qartë që Kosova nuk do jetë në gjendje t’i marrë këto 882 milionë euro”, përfundon Ehat Miftari.
Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit ka kohë që deri më 26 tetor të zgjedh të mandatuarin e saj, Albin Kurti si kryeministër, për çka deri më tani nuk i ka 61 votat e nevojshme. Në rast se dështon brenda këtij afati, një shumicë e dytë parlamentare ka dhjetë ditë kohë për të formuar qeverinë, nëse edhe kjo dështon, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Top Channel