
Një debat i fortë ka shpërthyer në botën e tenisit femëror, pasi tenistja ukrainase Marta Kostyuk ka ngritur pretendime të bujshme ndaj dy lojtareve më të mira në botë, Iga Swiatek dhe Aryna Sabalenka.
Në një intervistë për Tennis365, Kostyuk, e renditur aktualisht e 27-ta në botë, sugjeroi se Swiatek dhe Sabalenka kanë një avantazh biologjik, duke deklaruar se janë “më të mëdha, më të gjata dhe më të forta” se shumica e lojtareve të tjera – një koment që ka shkaktuar reagime të shumta.
“Secili ka ndërtimin e vet biologjik. Disa kanë nivel më të lartë të testosteronit, disa më të ulët. Kjo është e natyrshme dhe padyshim ndihmon,” – u shpreh Kostyuk, pa ofruar asnjë provë për këto pretendime.
Interesant është fakti se Kostyuk dhe Swiatek janë të njëjtës gjatësi (1.75 m), ndërsa Sabalenka është vetëm 5 cm më e gjatë (1.77 m). Megjithatë, Kostyuk thekson: “Ndjehem shumë më e vogël se ato. Duhet të vrapoj më shumë, të luftoj më shumë për çdo pikë. Nuk mund ta ndryshoj trupin tim – nuk mund të bëhem 10 kg më e madhe apo 5 cm më e gjatë.”
Ajo gjithashtu pranoi se ka humbur të gjitha përballjet ndaj Swiatek dhe Sabalenkës (0-7 në total), duke e cilësuar sfidën ndaj tyre si të pabarabartë.
Pas deklaratave të Kostyuk, Aryna Sabalenka, fituese e katër Grand Slameve (dy Australian Open, dy US Open), reagoi në mënyrë të tërthortë në rrjetet sociale. Ajo publikoi foto me bikini në një resort luksoz në Dubai, ku po pushon përpara WTA Finals që nisin më 1 nëntor në Riad.
Në përshkrimin e postimit, ajo shkroi: “Një ditë vajzash shumë e nevojshme me shoqen time të ngushtë.”
Një frazë që shumë e kanë interpretuar si replikë e qetë dhe ironike ndaj polemikës që shpërtheu në mediat sportive.
Top Channel