
39-vjeçari Ismet Gaxherri është vënë në pranga nga policia në Tiranë, pasi iu gjet armë zjarri pa leje.
Ai rezulton i përfshirë në ngjarjen e Linzës në vitin 2015, ku mbeti i vrarë Enton Nikaj dhe vetë Gaxherri u plagos.
Gaxherri ishte pronari i lokalit ku ndodhi përplasja fatale. Ai shoqëronte Nikajn kur nisi konflikti që do t’i merrte jetën Nikajt. Gaxherri kishte ndërhyrë për të ndaluar sherrin, por u godit edhe vetë me armë.
Lidhur me arrestimin sot, policia ka sekuestruar armën e zjarrit me krehër dhe fishekë.
“Në bazë të informacioneve të siguruara, në bulevardin “Bajram Curri”, u ndalua automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin I. G., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, u gjet në automjet, 1 armë zjarri pistoletë me municion, të cilët 39-vjeçari e posedonte pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shtetasi I. G. u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel