E rëndë në Francë, 45-vjeçarja mbahet e mbyllur në garazh për pesë vjet nga një çift

22/10/2025 18:26

Një hetim penal ka nisur në Nantes të Francës, pasi një grua raportoi se ishte mbajtur e mbyllur për pesë vjet në garazhin e një shtëpie në një fshat pranë Saint-Molf, në departamentin Loire-Atlantique.

Sipas prokurorisë, autoritetet kanë vënë nën akuzë një burrë 82-vjeçar dhe një grua 60-vjeçare. Viktima, një grua 45-vjeçare, po trajtohet aktualisht për hipotermi, ka konfirmuar ai për median franceze Ouest-France.

Sipas hetimeve, gruaja u detyrua të jetonte në kopsht ose në garazhin e shtëpisë për rreth pesë vjet, ndërsa çifti banonte brenda. Burri ndodhet nën mbikëqyrje gjyqësore, ndërsa gruaja e tij është në paraburgim.

Ngjarja doli në dritë më 14 tetor, kur viktima arriti të largohej nga shtëpia, duke përfituar nga një moment kur i moshuari po shikonte televizor. Ajo shkoi te fqinjët, gjysmë e zhveshur dhe e tronditur, trokiti në dritaren e tyre dhe u tha se kishte qenë e mbyllur për rreth pesë vjet.

Gjatë dëshmisë, gruaja tregoi se kishte jetuar fillimisht me një grua tjetër, deri në momentin kur në shtëpi kishte ardhur i moshuari. Pas kësaj, asaj iu kërkua të largohej nga hapësira e brendshme dhe të qëndronte në kopsht, në një tendë, ose në garazh.

Prokurori Leroy tha se një kontroll i shtëpisë konfirmoi plotësisht dëshminë e saj. Gruaja flinte në një karrige shezllone, bënte nevojat në një enë ose qese plastike, dhe ushqehej me qull të përzier me detergjent për larjen e enëve. Policia gjeti derën e garazhit të bllokuar nga jashtë me gurë të mëdhenj, për ta penguar të dilte.

Përdorimi i parave dhe akuzat

Sipas prokurorisë, viktima kishte rezultuar e zhdukur që nga prilli 2022, pas divorcit të saj. Gjatë kësaj kohe, llogaritë e saj bankare ishin përdorur për të transferuar shuma të konsiderueshme parash te dy të pandehurit, të cilët kanë pranuar pjesërisht faktet, por janë përpjekur t’i minimizojnë.

Ata akuzohen për “frenim të një personi me anë të torturës ose akteve mizore”, vepër që dënohet me burgim të përjetshëm, si dhe për mashtrim dhe shfrytëzim të një personi të cenueshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta